Duke folur në MCN Live analistja Anduena Llabani tha se ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj rrezikon deri në 7 vite burg për veprën penale për të cilën akuzohet në lidhje me aferën e sterilizimit.
Llabani është e mendimit se SPAK-u i ka bërë një qokë Beqajt, duke mos vendosur për të masën “arrest me burg” sikurse ka ndodhur me zyrtarë të tjerë.
Llabani shpjegoi se si janë fryrë artificialisht kostot, ndërkohë që sterilizimi ndodhte brenda kioskave në objektet e spitaleve.
Thirrja dy herë në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen. Për 4 orë Beqaj ka dëshmuar. Përgatitja juridike me dy avokatë mbrojtës do të thotë shumë. Mund të them me plot gojë që z.Beqaj nga sot rrezikon nga 6 muaj deri në 7 vjet burg për veprën penale që ai akuzohet. Ne kemi një raport, kërkesa e vlerësimit për masë sigurimi, sot z.Beqaj pritet të revokojë kërkesën e Prokurorisë për vlerësimin e masën. Unë mendoj që SPAK-u i ka bërë një qokë Beqajt, me vendimin për kushtet e masës së sigurisë, në të cilat Beqaj duhet të qëndrojë. Për të njëjtën skemë shumë zyrtarë, ish-zyrtarë, vuajnë masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Në kërkesën që kemi përpara thuhet që z.Beqaj në cilësinë e ish-ministrit nuk rezulton që të ketë pezulluar vazhdimin e procedurës së prokurimit. Nuk ka ngritur asnjë komision, të përbërë nga tre persona, që duhet të përbëhet nga tre persona, që nuk duhet të kenë marrë pjesë në marrjen e vendimit, për të cilën është paraqitur ankesa.
Kemi një ankesë të paraqitur në kohën kur është ngritur komisioni për prokurimin që i është dhënë mikut të tij. Z.Beqaj në procedurën që është bërë për sterilizimin, në të gjitha ambientet e krijuara brenda spitaleve në të gjithë Shqipërinë, Prokuroria e Posaçme dhe oficerët e BKH, kanë konstatuar se janë ngritur disa kioska brenda objekteve të spitaleve, ku kryhej sterilizimi i mjeteve, me ujin dhe dritat e spitaleve. Nuk kemi kurrsesi një ambient më steril sa kishim më përpara. Kemi abuzim deri aty sa një pjesë e sterilizimit bëheshin nëpër rrethe, duke minimizuar kostot, dhe këto para futeshin në xhep. Shkelja më e madhe flet për kalimin e çdo kompetence ligjore, që mund të kishte një ministër Shëndetësie. Jo vetëm ka shkelur ligjin, ka favorizuar një të njohurin e tij, dhe ka dhënë para, dhe ka stimuluar apo ka kërkuar deri diku marrjen e një firme, duke krijuar kështu edhe ato aludimet për njerëzit e tij, por kemi edhe rrezikun që u kanosen njerëzve, për të cilët është kryer.
Për të shtuar kostot janë futur edhe medikamente. Kemi shtim artificial të pajisjeve kirurgjikal, për shtim të buxhetit. Qeveria ka dashur ta shpëtojë deri diku z.Beqaj, mbase edhe nga masa arrest me burg, mbase edhe nga një proces penal që do konvergonte në një qeveri të korruptuar. Nuk do hetohet vetëm procedura, si është faturuar, kush janë favorizuar, por do të hetohet edhe pasuria e këtyre individëve. Në raport thuhet që është fshehur edhe numri i ndërhyrjeve kirurgjikale, ku numri është ulur nga 63 mijë në 50 mijë. Kemi të gjithë komisionin e vlerësimit të ofertave...Një nga zërat e futur në kosto është edhe shërbimi për gaz. Në të dhënat e konstatura është parë që ky shërbim është futur si pjesë e kontratës, dhe janë 19,6 milionë lekë. Shërbimi sot vazhdon. Ai kryhet nga dy persona italianë, që janë aksionerë. Historia e sterilizimit i ka kaluar kufijtë, është Italia, Kosova, Maqedonia. Të gjitha paratë e përfituara nga shërbimet fantazëm janë përvetësuar nga persona.
Asnjë nga drejtuesit e spitaleve nuk kanë qenë të gatshëm për ta denoncuar, edhe pse kanë qenë të detyruar që për të njëjtin shërbim, spitale të ndryshme kanë dhënë shifra të ndryshme. Nuk ka tregues për kostot, llojet e operacioneve, etj. etj. Presionet kanë qenë të vijueshme. Asnjëri prej tyre s’ka guxuar të ngrejë zërin, aq më tepër të akuzojë emra të përveçëm. Unë mendoj që procesi ndaj z.Beqaj mund të shkojë deri në pranverë dhe më pas mund të kemi vendim.



