Një sipërfaqe me ullishte është përfshirë nga flakët mesditën e sotme në Drizë të bashkisë Fier. Pas njoftimit nga banorët, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e zjarrit, i cili po favorizohet nga era e fortë.
Në operacion për fikjen e flakëve janë përfshirë edhe banorët e zonës, të cilët po ndihmojnë me mjete rrethanore. Fatmirësisht, zjarri ndodhet larg qendrës së banuar, por terreni i vështirë dhe mungesa e rrugëve nëpër parcela po vështirësojnë ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse.
Situata mbetet e rënduar, pasi flakët po përhapen me shpejtësi të ndihmuara nga era dhe rrezikojnë të afrohen pranë një lokali në zonë.



