
Greqia dhe Turqia thonë se janë gati për bisedime për të zgjidhur pretendimet rivale për një pjesë të pasur me energji nga Mesdheu, por armiqësia ishte e qartë kur ministrat e Jashtëm të të dy vendeve u thirrën për dialog të martën.
Pas bisedimeve në Ankara me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushollu, tha se Greqia duhet të heqë dorë nga ato që ai i quajti "kërkesat e saj maksimaliste".
"Ne jemi të hapur për bisedime pa parakushte. Por, nëse pala tjetër fillon të imponojë kushte paraprake, atëherë kemi edhe ne pretendimet tona”, tha ai.
Maas u takua gjithashtu në Athinë me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, i cili u shpreh i gatshëm për bisedime me Turqinë, por jo në kushtet e presionit.
Dendias siguroi se Greqia është e gatshme të mbrojë të drejtat e saj dhe theksoi se mosmarrëveshja me Turqinë është çështje për sigurinë e gjithë Bashkimit Evropian. Ndërsa kryediplomati gjerman paralajmëroi se një konflikt ushtarak midis Greqisë dhe Turqisë do të ishte "marrëzi absolute".
"Situata është shumë e rrezikshme, sepse në fund të fundit, kushdo që shkon më afër dhe më afër humnerës, në një moment mund të bjerë poshtë. Ky është një zhvillim të cilin ne duam ta shmangim”, tha Maas.
Ndërkaq, Greqia dhe Turqia kanë bërë të ditur se do të zhvillojnë stërvitje ushtarake në Mesdheun lindor. Të dy vendet janë përfshirë në një konflikt lidhur me zonat Ekskluzive Ekonomike të ishujve grekë. Greqia pretendon se një anije kërkimore turke është në ujërat e saj, mbi të cilat ka të drejta ekskluzive, ndërsa Turqia thotë se ka edhe ajo të drejtat e saj dhe se nuk po kryen asnjë shkelje.



