Eksperti i ekonomisë Zef Preçi duke folur në “Mcn Economy” i konsideroi shqetësuese deklaratat e guvernatorit Sejko, që sipas tij ngrenë pikëpyetje të mëdha për vet bankën. Ai vë në dukje që ka një shqetësim lidhur me mbiçmimin e monedhës sonë kombëtare, duke shtuar që BSH s’ka folur kurrë për penetrimin e parave të pista.
“Tek ne është zbehur transparenca në funksionimin e Bankës Qendrore, pra komunikimi me publikun, dhe instrumenti i vetëm që Banka Qendrore ka në dorë është norma bazë e interesit në tregun ndër-bankar, që ngrihet dhe ulet në varësi me dinamikën që ka ky tregues në vendet e BE. Niveli shumë i lartë i informalitetit, qarkullimi i 4-5 miliardë eurove jashtë kanaleve bankare, kompromenton edhe një rregullator tjetër më të fuqishëm po të kishim.
Është shqetësuese situata dhe deklarata ngre pikëpyetje të mëdha për vet bankën, për vet faktorët që ndikojnë nga industria, krimi i organizuar, dhe ekonominë në tërësi. Për procesin e penetrimit të parave të pista banka s’ka folur kurrë. Disa deklarata që kjo erdhi nga turizmi, etj., për mua janë shokuese, ndërkohë që kjo s’reflekton te prodhimi vendas.
Shqetësimi ka të bëjë me nivelin e kursit të këmbimit, mbiçmimin e monedhës sonë kombëtare në raport me atë europiane. 2/3 e kredive të dhënave kanë shkuar në sektorin e ndërtimit, por ku janë blerësit dhe tregu?! Po lundrojmë drejt një rreziku të madh të cilit duhet t’i dalim përpara. BSH imponon rregulla të sjelljes në treg”.
Duke u ndalur te mikrokreditë Preçi thekson se BSH s’e ka luajtur rolin e vet mbikëqyrës dhe nuk ka patur reagim institucional.
“Në shtyp janë publikuar raste që dikush që ka marrë 5 milionë kredi ka paguar 55 milionë. Përgjegjësia e BSH ishte për të mos e lejuar që të ndodhë kjo. BSH s’e ka luajtur rolin e vet mbikëqyrës dhe në kulmin e diskutimit publik në këtë temë, figurat përgjegjëse janë graduar me poste. S’ka as komunikim me publikun, s’ka pasur reagim institucional”.



