Një efektiv i forcave “Shqiponja” ka mbetur i vrarë dhe kolegu i tij është plagosur rëndë gjatë një operacioni të organizuar për arrestimin e një personi të shpallur në kërkim në zonën e Lozhanit në Bashkinë Maliq.
Gazetari Ferdinand Dervishi tha në studion e lajmeve në MCN TV se për të arrestuar personin në kërkim duheshin dërguar forcat RENEA dhe jo Shqiponja.
Duke vijuar Dervishi tha se duhet hetuar nëse ka qenë me qëllim dërgimi i Shqiponjave, në mënyrë që meritat të mos i merrte RENEA, apo nëse ka qenë përplasje rutinë.
Dërgojmë Shqiponjat që merret me njëlloj pune në zonat urbane, për rendin dhe për vepra penale të rrugës. Nuk është polici e specializuar për të shkuar për të arrestuar një kriminel me rrezikshmëri të lartë. Kur bëhet operacioni shihet me kë kemi të bëjmë.
Kam dyshim se është përsëritur ngjarja e Dritan Dajtit pas 20 vitesh. Janë çuar Shqiponjat tek një personazh që të gjithë e dinin se është i rrezikshëm. Duheshin çuar forcat RENEA. Mbetet ose që drejtuesit e policisë kanë dashur të mos ia jepnin Tiranën ose RENEA-s arrestimin e një personi të rrezikshëm, ose ka qenë përplasje rutinë. Kanë çuar një skuadër që është për atë punë.
Duke vijuar Dervishi tha se kemi kalbëzim të strukturës së Policisë së Shtetit për shkak të korrupsionit. Sipas Dervishit njerëzit e emëruar nga Ergys Agasi kanë ende pozicionet më kyçe në polici.
Kemi kalbëzim të strukturës ë Policisë së Shtetit për shkak të korrupsionit. Ecën paralelisht me politikën. Nuk mund të ndodhë të kesh kastë politike të korruptuar dhe sistem policor të pakorruptuar sepse policia ka qenë gjithmonë në shërbim të politikës.
Me Ergys Agasin dhe gomarrllëqet që janë bërë me emërimet, akoma në polici drejtojnë njerëzit e Ergys Agasit. Ata i kanë postet më të rëndësishme. Është komplet e korruptuar.
Reformat duhet të jenë të shumë të fuqishme.
Është shumë e rëndë kjo që ka ndodhur në Maliq. Minimumi është shpërdorim detyre flagrant.



