Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së djeshme për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Nëpërmjet një postimi në Tëitter, Rama është shprehur se ata që kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliut, ta harrojnë se kjo do të ndodh.
Kjo sipas tij, sepse Policia e Shtetit nuk mund të merret peng dhe se protestuesit nuk mund të konsiderojnë dobësi dorëheqjen e ministrit Lleshaj.
”Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie!” shkruan Rama ,
Kryeministri shkruan se nuk mund të fajsojmë gjithë policinë për një polic që vrau dhe që ndodhet në duart e drejtësisë.
“Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj! Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit!” ka vijuar Rama.
”Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë! Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë!”



