
Pano Soko, ekspert ekonomie tha në studion e emisionit “MCN Economy” se bujqësia më tepër sesa nga buxheti vuan nga strukturat pasi në zinxhirin e rrugës që bën produkti nga ferma deri në tavolinë një pjesë të mirë të parasë e marrin ca njerëz që nuk kanë lidhje me bujqësinë.
Sipas Sokos, me këtë trajektore që kemi shumë shpejt do të mbetemi pa prodhim vendas.
Bujqësia më tepër sesa nga buxheti vuan nga strukturat. Ajo që po vuajmë ne sot, çmimet e larta është fakti se në zinxhirin e rrugës që bën produkti nga ferma deri në tavolinë një pjesë të mirë të parasë e marrin ca njerëz që nuk kanë lidhje me bujqësinë. 70% të vlerës e marrin këta.
Skema është ndërtuar në mënyrë të tillë që brenda segmentit ka njerëz që abuzojmë për shkak të moskontrollit, mosrregullimit të skemës, pandërhyrjes dhe kaotizmit që është lënë enkas në këtë pikë.
Shqipëria financon sot injektim të drejtpërdrejtë i cili dhe cilësisht nuk shkon tek fermeri, 44 mln euro. Kosova e ka 150 milionë euro.
Produkti shqiptar ka humbur treg duke qenë i nënrenditur në tregun vendas dhe duke arritur të mbulojë vetëm 35%.
Produkti shqiptar bujqësor dhe i agropërpunuar mbulon vetëm 1/3 e tregut. 2/3 mbulohen nga importi. Këtu është gara e pistë korrupsionit, duke qenë se importuesit kanë fuqi tjetër ekonomike nga çfarë kanë mijëra bujq dhe ata duke përqendruar kapital aty e kanë më të lehtë të përdorin mekanizmin e korrupsionit, qoftë tek institucionet vendimmarrëse, qoftë tek ata që realizojnë transaksionin e vlerës kanë arritur sot ta vënë përfund produktin shqiptar.
Do të shkojmë në BE vetëm si një supermarket, jo si prodhues. Me këtë trajektore që kemi shumë shpejt do të mbetemi pa prodhim vendas.



