
Java nis me temperatura të larta dhe mot të qëndrueshëm, parashikon IGJEUM.
Meteorologia Anira Gjoni, për shikuesit e “MCN Live”, tha se krahas rritjes së temperaturave dhe motit të mirë, dita e enjte do të sjellë rikthimin e reshjeve të dobëta të shiut.
Sot dhe në ditët në vijim do të kemi kushte të qëndrueshme atmosferike, me mbizotërim të diellit dhe temperatura të larta.
Por nuk do të shpëtojmë nga reshjet e dobëta të shiut që do të shfaqen kryesisht në zonat kodrinore dhe malore duke filluar nga dita e enjte, pothuajse në të gjitha qarqet e vendit.
Java nis me temperatura maksimale deri në 32 gradë Celsius dhe këto vlera pritet të mbeten në nivele të ngjashme edhe gjatë ditëve në vijim.
Temperaturat minimale pritet të variojnë nga 18°C në zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore do të zbresin deri në 13°C.
Edhe vlerat minimale kanë shënuar rritje gjatë kësaj jave.
Ndërkohë, temperaturat maksimale në bregdet do të arrijnë deri në 30°C, në zonat e ulëta deri në 32°C dhe në zonat malore deri në 27°C.



