
Shqipëria do të marrë një pozicion të lartë drejtues në një nga platformat më të rëndësishme në fushën e transmetimeve të mediave audiovizive. Drejtuesja aktuale e Autoritetit të Mediave Audiovizive Armela Krasniqi është zgjedhur si zëvendës Presidente e Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore, MNRA.
27 vende anëtare, përfshirë Shqipërinë, u përfshin në procesin e votimit. Armela Krasniqi do të ushtrojë detyrën në një kohë kur Presidenca e MNRA mbahet nga Presidenti i Rregullatorit kroat.
Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore është themeluar në nëntor të vitit 1997, si një hapësirë dinamike komunikimi dhe shkëmbimi praktikash mbi modelet dhe transformimin e tregut audioviziv. Një nga qëllimet parësore të Rrjetit mbetet forcimi dhe përafrimi i qasjeve të vendeve anëtare në ballafaqimin e sfidave të sektorit audioviziv.
Pjesë e Rrjetit janë autoritete rregullatore të Francës, Spanjës, Izraelit, Italisë, Greqisë, Kroacisë, Portugalisë, Marokut etj, vende që përfshijnë gjirin e Mesdheut.
Sfidat që kanë përpara vendet e rajonit është nevoja për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor kombëtar në fushën e mediave audio/audiovizive, harmonizimin e legjislacionit “acquis communitaire” në fushën audiovizive në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.
Përmirësimi i kornizës ligjore synon mbrojtjen e fëmijëve, qasjen në media të personave me aftësi të kufizuara, çështjet e juridiksionit dhe promovimit të veprave evropiane.



