Gazetari Sokol Bregu për paraqitjen në SPAK të sipërmarrësit dhe drejtorit të përgjithshëm të MCN TV, Endri Meksi, thotë se dëshmia e tij nuk lidhet vetëm me dosjen e “AKSHI-t”, por edhe me një seri kërcënimesh dhe incidentesh të rënda që kanë ndodhur ndaj biznesmenit.
Bregu deklaroi për “MCN Live”, çështjet përfshijnë kërcënimet, vendosjen e GPS-i për ndjekjen e tij në makinë, dhe eksplozivin e vendosur pranë ambienteve të dyqanit të internetit të MCN, duke ngritur dyshime se të gjitha mund të kenë lidhje me aktivitetin mediatik dhe denoncimet publike të bëra së fundmi nga Meksi.
Nuk është vetëm për AKSHI-n, por për kërcënimet, tritolin dhe vendosjen e GPS. Duke qenë se ka në pronësi një media të madhe, të gjitha kushtet janë që këto incidente të lidhen dhe të hetohen nga strukturat e krimeve të rënda.
Bregu u shpreh kritik ndaj Prokurorisë së Tiranës, të cilën e konsideroi “inekzistente”, ndërsa shtoi se shpresa e vetme për zbardhjen e ngjarjeve mbetet SPAK.
Ai theksoi se koha e gjatë që Meksi ka dhënë shpjegime në SPAK tregon seriozitetin e hetimit.
Ajo që shoh si zhvillim pozitiv është koha e gjatë që jep shpjegimet e tij. Kur është kohë e shkurtër, do të thotë se je vetëm për të kaluar radhën. SPAK po kërkon prova dhe shpjegime për dosjen e AKSHI-t, që është ndër më të mëdhatë që po hetohet aktualisht.
Bregu foli edhe për sulmin me eksploziv ndaj ambienteve të MCN, duke zbuluar se ekspertët ende nuk kanë arritur të përcaktojnë llojin e lëndës shpërthyese të përdorur.
Sipas tij, hetuesit dyshojnë se kemi të bëjmë me një organizim të sofistikuar kriminal, ndërsa po analizohen edhe të dhënat e GPS-it të gjetur, i cili dyshohet se funksiononte me një kartë telefonike me numër të huaj.
Krimi ka qenë në kufijtë e perfektes. Nuk është C4, as tritol dhe as dinamit. Laboratori po punon ende për ta identifikuar. Edhe GPS është duke u verifikuar, pasi ka një kartë telefonike me numër të huaj dhe po analizohen lëvizjet që ka bërë.
Edhe pse zoti Meksi thotë se më sollën mesazh, por unë mesazhin nuk e mora. Dyshimet e mia i kam mbi ata që ka sulmuar më shumë televizioni, Agasi, Beqiri, KPP, DSIK, afera të mëdha korruptive. Se si lidhen këto me krimin e organizuar, duke i cenuar atij jetën, është për tu hetuar nga ana e strukturave që po e hetojnë.
Si ka mundësi që ky shtet i kishte lënë një personazhi si Ergys Agasi, një forcë kaq të madhe për të drejtuar aq shumë. Nuk arrij të kuptoj se si njerëzit e tij dhe të Ermal Beqirit, kishin në dorë AKSHI-n, DSIK, përcaktonin tenderat dhe gjithçka.
Një trust me pesë persona të cilët kishin kapur pikat kyçe në një biznes. Këta gjeneronin 50-60 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe i kishin për vete. Shantazhonin për të të nxjerrë nga tregu, që lekët t’i kishin ata. Gjeneronin jashtëzakonisht para.
Një tender që ishte 2 e bënin 4 dhe kur nuk e fitonin firmat e tyre duhet t’iu ktheje 70% të shumës. Dhe kur ankoheshe se të ishte bërë padrejtësi, atje ku ankoheshe ishte njeriu i tyre. Ndaj SPAK ka ngritur akuzën e grupit të strukturuar kriminal. Këta persona të shantazhonin dhe me jetën private, siç ka thënë zoti Meksi, duke të bërë një fotografi aty dhe duke e përdorur më tej për shantazh.
Meksi për pak kohë ka pasur bashkëpunim me ta dhe thotë se si përpara se të fuste hundët Ergys Agasi, çdo gjë funksiononte në mënyrë të jashtëzakonshme dhe se gjithsecili vazhdonte punën e tij dhe në momentin që u fut Ergys Agasi, gjithçka u shkatërrua.
Të detyron të blesh verë të huaj mijëra euro, të detyron të heqësh lajme nga televizioni për të qenë në atë treg. Ai iu bën thirrje të gjithë biznesmenëve që ta denoncojnë, se ai ishte një njeri që i bënte pis të gjithë. Koha në të cilën ai mashtroi më shumë, ishte kur kishte marrë të gjitha videot kompromentuese ndaj personave që gjoja bashkëpunonte.
Një shantazhues i jashtëzakonshëm, një njeri që përgjonte gjithë kohën. Ai e lidh gjithçka me Ermal Beqirin, një njeri në hije, aq i keq sa thotë se e ka krijuar ai gjithë këtë vorbull. Ai e nxiste për rrëmbime, për shantazhime. Zoti Meksi shfajëson në një farë forme Karçanaj duke thënë se ra pre e shantazheve gjatë gjithë kohës. Ra pre dhe Hava Delibashi dhe drejtoresha e Hipotekës.
Në fund dhe zoti Meksi ishte pre e një shantazhi për një kohë të gjatë, deri kur në fund vendosi të flasë. Këto lloj shantazhesh të marrin dhe frymën e fundit. Sot në SPAK është për këtë gjë.
Në fund, Bregu ngriti dyshime se sulmet dhe kërcënimet mund të kenë lidhje me denoncimet e bëra nga televizioni ndaj aferave të mëdha korruptive dhe figurave të ndryshme të përmendura në emisione investigative.
Ai shtoi se mbetet detyrë e strukturave hetimore të provojnë nëse ekziston lidhje mes këtyre denoncimeve dhe elementëve të krimit të organizuar që mund të kenë cenuar sigurinë e Meksit.



