Një 49-vjeccar nga Puka ka humbur jetën sot në mëngjes në spitalin Infektiv, duke shënuar viktimën e pestë nga Covid-19 në Shqipëri.
49 vjeçari, ishte bashkëpronar i hotel “Ronald” tek Unaza në Tiranë dhe ka shërbyer dhe si drejtor i zyrave të shtetit për zonën e veriut.
Ai ishte babai i 4 fëmijëve.
Marinaj kishte 10 ditë që ishte shtruar tek infektivi dhe po trajtohej me frymëmarrje të drejtuar.
Mësohet se ai ka qenë në kontakt me pacientin zero V.Kola.
Kujtojmë se e hëna e kësaj jave nisi me një bilanc të rënduar të viktimave me Covid-19. Duke shënuar kështu deri në këto orë edhe tri ngjarje të ndryshme. Pas raportimit për vdekjen e 71-vjeçarit nga Kuçova të dielën në darkë, sot në mëngjes u raportua edhe një i vdekur nga Kavaja, ndërsa një pacient nga Tirana ka pësuar vdekje klinike.
Mbajtja në jetë e kampionit të boksit
Ish-trajneri i kombëtares sonë të boksit, Skënder Kurti, u raportua si viktima e pestë e Covid-19, por që nuk kishte vdekur.
Në njoftimin e dytë që hodhi poshtë të parin, Ministria e Shëndetësisë tha se 61-vjeçari nuk ka ndërruar jetë, por ndodhet në vdekje klinike, në gjendje të rëndë.
Ky nxitim për dhënien e informacionit nga ana e autoriteteve shëndetësore, detyroi vetë Pëllumb Piperajn të dilte dhe të përgënjeshtronte lajmin për burrin 61 vjeç, i cili vazhdohet të mbahet në jetë nga stafi i Infektivit, duke dhënë shpresë se do ia dalë.
Kurti ka qenë edhe kampion në boks me Tiranën, e pse të mos jetë edhe njëherë tjetër kampion me jetën, për të mposhtur këtë virus vdekjeprurës.
Biznesmeni 43-vjeçar që humbi jetën
Viktima e katërt nga koronavirusi është një 43 vjeçar nga Kavaja. 43-vjeçari përveç obezitetit nuk kishte probleme të tjera shëndetësore. Viktima nga Kavaja ishte kthyer nga Italia përpara 15 ditësh. Ai udhëtonte shpesh në vendin fqinj. 43-vjeçari ka në pronësi dhe një hotel i cili funksionon gjatë verës.
Gjendja shëndetësore e 43-vjeçarit është rënduar mbrëmjen e djeshme ku dhe është vendosur në frymëmarrje të drejtuar ndërkohë që mëngjesin e sotëm ka humbur betejën për jetën.
Që në momentin që I.M është dërguar në spitalin infektiv në Tiranë, të gjithë familjarët dhe miqtë e tij që ka kontaktuar janë vetëkarantinuar. Mësohet se 43-vjeçari ka takuar shumë pak persona gjatë qëndrimit të tij në Kavajë.
Ndërkohë specialistët e shëndetësisë kanë nisur gjurmimin për personat e kontaktit të cilët kanë arritur të gjejnë një pjesë të mirë të tyre.
Vdekja e ish-punonjësit të Ministrisë së Brendshme
F.Hasa u konsiderua viktimë e infektimit nga Covid-19! Madje edhe kryeministri teksa doli e lëshoi deklaratën për izolimin me çdo kusht se po shtohen viktimat, e numëroi Hasën si viktimën e këtij virusi.
Në fakt burri 50-vjeçar, nga Tirana, baba i dy fëmijëve humbi jetën nga një tjetër sëmundje dhe që s`kishte fare me çështjen e koronavirusit.
Në momentin kur u tha se Hasa, ish-punonjës prej disa vitesh në Ministrinë e Brendshme, ishte kthyer nga Bergamo para disa ditësh, u mësua se në fakt ai kishte qenë në Greqi dhe madje edhe të dhënat më të fundit mjekësore ishin lëshuar nga spitali grek.
Më vonë, bashkëshortja e të ndjerit doli dhe nxori diagnozën e babait të dy fëmijëve të saj duke treguar se Hasa vuante nga tjetër problem shëndetësor që edhe i mori jetën. /TVT.al/



