
Tirana është shndërruar sot në qendrën e dialogut rajonal për riafirmimin e rëndësisë strategjike të 'Corridor VIII', një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore dhe gjeopolitike në rajon.
Ministeriali i Korridorit VIII po zhvillohet në Pallati i Brigadave, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia dhe Rumania, si dhe përfaqësues nga vende partnere.

Takimi synon thellimin e bashkëpunimit ndërqeveritar për përshpejtimin e zhvillimit të Korridorit VIII si një arterie strategjike transporti, zhvillimi ekonomik dhe sigurie, duke kontribuar njëkohësisht në forcimin e integrimit rajonal dhe ndërlidhjen me rrjetet kryesore evropiane.
Në nisje të sesionit qendror, fjalën e mbajti Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në praninë e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, Zëvendësministrit të Jashtëm të Bullgarisë, Nikolay Pavlov, si dhe Ambasadorit të Rumanisë në Shqipëri, Octavian Şerban.
Është kënaqësi t’ju kemi sot këtu, në një takim që nuk lidhet thjesht me një vijë në hartë, por me formën e së ardhmes së rajonit tonë.
Korridori VIII nuk është thjesht një investim. Ai është një domosdoshmëri strategjike
Korridori VIII është ndërlidhja e munguar lindje-perëndim e Ballkanit Jugor. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi, tregjet me tregjet dhe rajonin tonë me zemrën e Europës. Dy mijë vjet më parë, Via Egnatia arriti pikërisht këtë: lidhi portet, qytetet dhe njerëzit në të njëjtën hapësirë gjeografike. Sot, nuk po shpikim diçka të re. Ne thjesht po përfundojmë një detyrë që historia e ka përcaktuar tashmë për ne: ta bëjmë këtë pjesë të Europës realisht të ndërlidhur.
Ndërlidhje do të thotë mundësi. Do të thotë qëndrueshmëri. Dhe në Europën e sotme, nënkupton edhe siguri.
Ministrja e Jashtme deklaroi se,“në të gjithë vendin, korridori është në qendër të strategjisë sonë kombëtare të transportit dhe se Shqipëria po bëhet një nga nyjet e më të besueshme të këtij projekti.
Ne kemi një portofol projektesh prioritare me vlerë mbi dy miliardë euro dhe shumica e tyre janë tashmë të gatshme për zbatim. Në sektorin hekurudhor, linja Durrës–Rrogozhinë po avancon me financim evropian. Punimet inxhinierike për segmentin pasues drejt Pogradecit kanë nisur. Ndërkohë, linja e re hekurudhore që lidh Tiranën me Durrësin dhe aeroportin ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit. Në sektorin rrugor, segmentet kryesore nga porti drejt kufirit lindor janë në ndërtim ose në faza të avancuara përgatitore. Në sektorin e energjisë, interkonjeksioni 400-kilovolt me Maqedoninë e Veriut, që ndjek gjurmën e korridorit, është pranë përfundimit. Pra, porta perëndimore e Korridorit VIII nuk është më një ide. Ajo është një paketë projektesh konkrete në terren, me financim, kontrata dhe afate të përcaktuara.
Spiropali nënvizoi se faza e ardhshme e projektit duhet të jetë më praktike për ta bërë Korridorin VIII një arterie funksionale europiane.
“Na duhen afate kohore të sinkronizuara ndërmjet vendeve. Na duhen standarde teknike të ndërveprueshme. Na duhen procedura kufitare më të shpejta. Dhe na duhet financim i koordinuar nga instrumentet evropiane dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Korridori VIII është, gjithashtu, një nga mënyrat më konkrete për ta afruar rajonin tonë me Bashkimin Europian. Ai shkurton distancat. Ul kostot. Lidh bizneset, krahun e punës dhe tregjet. Dhe e shndërron gjeografinë në mundësi. Për rajonin tonë, ky nuk është vetëm një projekt transporti. Është një deklaratë politike. Ai tregon se Adriatiku dhe Deti i Zi nuk janë skajet e Evropës, por portat e saj hyrëse”, përfundoi Spiropali.
Ministeriali pritet të përmbyllet me angazhime konkrete për përshpejtimin e projekteve infrastrukturore që lidhin Adriatikun me Detin e Zi, duke e kthyer Korridorin VIII në një bosht kyç të bashkëpunimit rajonal dhe evropian.



