
Një ditë më parë, Parlamenti i Kosovës zgjodhi kryetarin e ri dhe nënkryetarët. Për kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj, ky është një lajm i mirë për vendin, pasi siç thotë ai, i hapet rrugë formimit të qeverisë së re. Në një intervistë për Kosovapress, Haradinaj ka kritikuar qasjen e kryeministrit të zgjedhur, Albin Kurti, në raport me aleatin e pritshëm, LDK.
Haradinaj thotë se nuk mund të ketë imponim të Vetëvendosjes ndaj PDK-së.
“Nuk është në rregull njëri partner me marrë veprim si i vetëm, me nxjerr tjetrin para aktit të kryem, e pastaj t’i kërkojë mbështetjen. Pra kjo është një marrëveshje e vullnetit, dhe nuk bëhet me zor, nuk mundesh me diktat me ja bë askujt. Unë prej fillimit kam shpreh habi në qasjen e zotit Kurti, në një lloj qasje që është më shumë diktat, ose kushtëzim ndaj partnerëve potencialë, duhet të bëhet kujdes, të trajtohen me respekt partnerët dhe me arrit një marrëveshje të besueshme për të gjithë. Kuptohet besimi është diçka që ndërtohet, unë vet nuk kam shpreh besim në zotin Kurti se kam thënë se ai është mashtrues, dhe kam thënë që do të dalë zhgënjim për qytetarët e vendit, për këtë nuk është se i gëzohem sepse qytetarët meritojnë suksesin dhe vendi meriton suksesin, unë nuk e kam pas një besim të tillë në zotin Kurti, tani nëse kjo që ka ndodhur dje pra është punë pa marrëveshje, flet për mashtrimin që e kam folur dikur”, thotë Haradinaj.



