
Gjatë vizitës që kryetari i PD-së Lulzim Basha, pati me komunitetin shqiptar në Londër, tha se Partia Demokratike nuk do të lejojë taksë në rrugën Tiranë – Durrës, ndërsa shtoi se do të anulojë taksën për Rrugën e Kombit.
“Sot shqiptarët paguajnë dyfish, edhe taksën e rrugës dhe taksën e qarkullimit. Asnjë prej tyre nuk do të ekzistojë kur PD të vijë në pushtet. Pse nuk do të ekzistojnë? Sepse të dyja varfërojnë Shqipërinë, varfërojnë Kosovën” , tha ai.
Basha u shpreh i bindur se me ardhjen e PD në pushtet, taksat do të ulen në maksimun, duke bërë që të ketë më qarkullim mes dy vendeve, dhe jo vetëm.
“Duke i hequr këto të dyja çfarë do të mundësojmë ne? Do të ketë më shumë qarkullim dhe kjo është ndarja me thikë mes atyre që e kanë mendjen vetëm te taksat, vetëm te shtrëngimi, asaj që i them Shqipëria e frikës e Shqipëria e lirisë. Shqipëria dhe shqiptarët do të pasurohen shumë më shumë me taksa të ulëta sepse do të kenë më shumë motiv për të punuar. Dhe vetëm puna e pasuron një komb. Vetëm iniciativa e lirë e pasuron një komb”, u shpreh Basha.



