Më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve, Kosova nuk ka ende qeverinë e re. Shkak për mosarritjen e koalicionit të ri qeverisës është posti i presidentit, për të cilin LDK dhe Vetëvendosje nuk kanë arritur të dakordësohen paraprakisht. Gazeta “Zëri” raporton se, pavarësisht se ishte paralajmëruar se do të ketë takime të shpeshta në mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës për mundësinë e bashkëqeverisjes, dy liderët nuk janë takuar që nga e dita e shtunë dhe gjasat janë minimale që të takohen sot.
Posti i presidentit është pika kyçe në të cilën dy partitë nuk po pajtohen, pasi që është LDK-ja ajo që po insiston se ky post duhet t’i takojë asaj, ndërsa Vetëvendosja është shprehur disa herë radhazi se posti i presidentit nuk duhet të jetë pjesë e diskutimeve.
Ndërkohë, vetë LDK ka paralajmëruar një mbledhje që do të mbahet nesër në ora 14:30 në selinë e partisë. Në këtë mbledhje do të diskutohet për ecurinë e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për koalicionin e mundshëm paszgjedhor, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.



