Kufijtë e jashtëm të BE-së do të hapen për qytetarët e 15 shteteve të ndryshme, por do të mbeten edhe për një kohë të mbyllur për qytetarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Sipas vendimit të Këshillit të BE-së, vetëm Mali i Zi dhe Serbia përfshihen në të ashtuquajturën listë pozitive. Qytetarët e këtyre vendeve mund të udhëtojnë në BE nga 1 korriku.
Ndërkohë, të gjitha vendet e tjera të rajonit konsiderohen të pasigurta, për shkak të numrit të lartë të rasteve të reja dhe masave mbrojtëse.
Për hapjen e kufijve për një vend të tretë, numri i rasteve të reja COVID-19 duhet të jetë afër ose nën mesataren e BE-së, që do të thotë një maksimum 16 të infektuar për 100 000 banorë në 14 ditët e fundit.
Lista e vendeve, qytetarët e të cilëve janë pranuar në BE dhe në zonën Shengen duke filluar nga nesër përfshin Algjerinë, Australinë, Kanadanë, Gjeorgjinë, Japoninë, Malin e Zi, Marokun, Zelandën e Re, Ruandën, Serbinë, Korenë e Jugut, Tajlandën, Tunizinë dhe Uruguajin. Kina është gjithashtu në listë, por vetëm me kushtin që Pekini të pranojë qytetarët e BE në territorin e saj.
Ndërkohë, u ndalohet hyrja qytetarëve që vijnë nga SHBA-të, Rusia dhe Brazili.



