Koreja e Veriut refuzon me vendosmëri kërkesat “e vjetruara dhe absurde” për denuklearizim nga krerët e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Japonisë dhe Koresë së Jugut, të cilët në një takim javën e kaluar përsëritën se Pheniani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore.
Në një deklaratë të raportuar nga agjencia KCNA, Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut përsëriti synimin e saj për të forcuar aftësitë bërthamore të Veriut në përgjigje të “kërcënimeve armiqësore” nga armiqtë e saj, duke kritikuar ashpër “aktet aventureske dhe të pakuptimta të tre vendeve armiqësore që nxisin konfrontim dhe konflikt kolektiv” në gadishullin Korean dhe rrethinat e tij.
Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut e quajti denuklearizimin një “qëllim dritëshkurtër”, duke vënë në dukje se nuk ishte asgjë veçse kulmi i marrëzisë që mahnit njerëzit e botës dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë zgjuar ende nga “ëndrra e vjetër e dështuar e denuklearizimit”.
“Nuk ia vlen të merret në konsideratë kundërshtimi i pozicionit të SHBA-së që po ikën nga realiteti dhe ne dënojmë dhe refuzojmë veprimin amerikan. Koreja e Veriut do t’i përmbahet me vendosmëri linjës së re të ndërtimit të forcave të saj bërthamore dhe të frenojë plotësisht Shtetet e Bashkuara dhe forcat e saj vasale nga kërcënimet dhe shantazhet duke përdorur të gjitha mjetet politike dhe ushtarake që ka në dispozicion”, theksohet në deklaratë, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara po ndjekin një plan të vjetëruar dhe absurd të denuklearizimit, i cili tani po bëhet i pamundur”.



