
Qyteti i Gjirokastrës është përfshirë në programin e aktiviteteve të organizuara nga Ambasada e Italisë në Tiranë, të titulluar “Vale”.
Ky aktivitet synon njohjen veçanërisht nga të rinjtë shqiptarë të vlerave, traditës, gjuhës dhe kulturës italiane.
Në kuadër të saj mbrëmjen e djeshme është zhvilluar një aktivitet në Gjirokastër, në të cilin të pranishmit degustuan gatimet karakteristike të mjeshtrit të kulinarisë italiane, Sandro Serva.
I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe ambasadori i Italisë në vendin tonë Fabricio Buci. Aktiviteti i cili u organizua në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës dhe Konsullatën e Nderit të Italisë prezantoi vlerat e kuzhinës italiane nëpërmjet gatimeve të mjeshtrit të kulinarisë Serva.
Sipas ambasadorit Fabricio Buci, organizime të tilla shërbejnë jo vetëm për prezantimin e vlerave të traditës italiane por edhe për vendosjen e urave të bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore dhe turizmit.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi u shpreh se Gjirokastra ka një bashkëpunim të konsoliduar me palën italiane për zbatimin e projekteve në fushën e turizmit, arsimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
“Së shpejti në Gjirokastër do të çelim edhe “Casa d’Italia” që do të shërbejë për njohjen e të rinjve me gjuhën dhe kulturën italiane”, u shpreh Golemi.
Përgjatë këtij viti në qytetin e Gjirokastrës janë zhvilluar disa aktivitete me palën italiane për promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore ndërsa po konkretizohen disa projekte bashkëpunimi në fushën e arsimit apo turizmit.



