Gazetari Sokol Bregu foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi ngjarjen e ndodhur dje në Tiranë, tre trafikantë droge tentuan të përplasin me makinë policët, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën duke qëlluar dhe plagosur njërin prej tyre. Bregu bën me dije se policia ka vepruar sipas protokollit, megjithatë ai shton që është i domosdoshëm një dëshmitar që i ka dëgjuar “uniformat blu” të kenë bërë dy herë thirrjen para se të qëllonin.
Bregu thekson se në rast se tre të rinjtë do të akuzohen për “tentativë vrasje të efektivëve” atëherë dënimi fillon me të paktën 15 vite, ndërkohë që me shpërndarjen dhe transportin e kokainës do të dënoheshin me 3 vite. E rëndësishme është gjithashtu sipas tij nëse do të provohet se tre të rinjtë kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, pasi dënimi për një grup të strukturuar është më i lartë se sa për individët.
Në dijeninë time policia ka vepruar sipas protokollit. Ka lajmëruar që është policia. Ka qenë në rrezik jete një moment. Nuk kanë qenë me armë, por edhe automjeti mund të kthehet në armë. Është një cenim i jetës të uniformave blu. Ka qenë një operacion më shumë se 6-mujor, dhe kanë pritur momentin kur do bëhej shkëmbimi i parave me 1 kg kokainë. 1 kg kokainë shkon nga 35-40 mijë euro. Të rinjtë s’e kanë vlerësuar fare as veprën penale që kanë kryer. Kanë qenë të nxitur nga humbja e drogës, prandaj kanë bërë një veprim të tillë. Mbetet për t’u parë nëse policia do çojë në akuzën e tentativës së vrasjes vetëm drejtuesin e mjetit apo edhe të tjerët. Në momentin që ka bërë thirrje, policia dorëzohu, e përcaktuar është ta bëjë dy herë thirrjen, dhe në thirrjen e tretë qëllon dhe ka të drejtën e saj sepse i rrezikohet jeta. Por gjithmonë pas identifikimit se me kë ke të bësh. Duke qenë se goditet me një automjet është shumë e pasigurt për jetën e saj, dhe i lind e drejta. E domosdoshme është edhe një dëshmitar që e ka dëgjuar thirrjen e policisë. Është e rëndësishme për klasifikimin e veprës penale të tre të rinjve. Tentativa e vrasjes së një punonjësi policie fillon nga 15 vite burg. Treshja mund të ketë një person që drejton dhe jep urdhrin. Prokurori e vlerëson se kujt i përket përgjegjësia penale, ose mund t’i fusë në bashkëpunim. Nëse e bën vetëm dënohesh pak, nëse janë tre aty futet SPAK, sepse quhet rrjet i organizuar. Por duhet vërtetuar sepse ndonjëri prej tyre mund të ketë qenë edhe shëtitës, dhe nuk është në përgjime. Me tre persona quhet strukturë kriminale dhe i përket hetimit të Krimeve të Rënda. Nëse do vërtetohet që kanë qenë në bashkëpunim për njëri tjetrin do shkojnë në një dënim të rëndë, shto këtu goditjen ndaj policisë. Po të ishte një do dënohej shumë pak, nëse nuk do largoheshin nga vendi, maksimumi tre të rinjtë do bënin një dënim që s’i kalon 3 vjet burg. Trafikun e lëndëve narkotike nuk e ndalim dot, sepse ka kërkesë. E ndal vetëm shoqëria, mos pasja e klientëve”.



