Qeveria italiane ka kaluar një provë të fortë në Senat, ku arriti të merrte votëbesimin, pavarësisht se rezultati ishte i ngushtë mes votave pro dhe kundër. Kabineti i Giuseppe Conte do të vijojë punën falë 156 votave pro, 140 kundër dhe 16 abstenime.
“Italia nuk mund të humbasë asnjë minutë kohë. I rikthehemi menjëherë punës për t’i bërë ballë emergjencës sanitare dhe krizës ekonomike. Prioritet mbetet vaksina dhe plani i rimëkëmbjes”, shkroi Conte në Tuiter menjëherë pas votimit.
Maxhoranca qeverisëse mbetet e brishtë në Itali, pas largimit nga koalicioni të partisë së ish-kryeministrit Matteo Renzi. Largimi i dy ministrave të tij nga kabineti e çoi qeverinë e Contes në një krizë disaditore, që mund të konsiderohet e tejkaluar, të paktën për momentin, pasi mori mbështetjen e dy Dhomave të Parlamentit.



