Profesor Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, për zhbërjen nga qeveria të Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe kalimin te Akademia e Shkencave thotë se statusi i Akademisë u bë me vendim të Ministrisë së Arsimit në vitin 2018 dhe kishte në vetvete kërkimin shkencor, antropologji, arkeologji, gjuhësi dhe letërsi dhe histori.
Në emisionin “Fol” në MCN Tv, Përzhita deklaroi se në vitin 2021 kur ministrja aktuale firmosi vendimin për të hyrë në zgjedhjet e reja u vunë disa kushte dhe një nga kushtet është që duhet të hapej një fakultet.
Në vijim sqaroi se ky fakultet ishte i detyrueshëm duke filluar nga niveli Bachelor pastaj në nivelin Master dhe Doktoraturë.
I binte që ne të ishim një institucion që krahas kërkimit shkencor të kishim dhe mësimdhënie dhe normalisht që do binte dhe niveli i kërkimit shkencor, i cili është më i avashtë se mësimdhënia.
I paraqitëm disa variante Ministrisë së Arsimit për Bachelor në fushën e antropologjisë.
Projekti u bë bashkë me universitetin e Gjirokastrës, pasi ai universitet ka potencial për etnografi, linguistik, arkeologji, por u kthye mbrapsht si i pastudiuar mirë në fushën e punësimit të studentëve.
Më pas u bënë katër mastera, duke marrë parasysh pjesën e infrastrukturës, bibliotekën, laboratorin e studentëve që i morëm me qira.
Gjithmonë është biseduar se ne si institucion duhet të kemi një status të veçantë për vetë natyrën që ka Akademia si ADN e shkencave kombëtare, ne duhet të ishim institucion që të furnizmonim me punimet tona, duke u kthyer në aset për studentët dhe pedagogët.
Institucioni ynë bashkëpunon me 40 universitete kryesisht të Bashkimit Europian, me universitetet amerikane dhe me universitete të tjera që lidhen në një fushë a në një tjetër me ne me studime pankontinentale, që janë në fokusin e disa organizime.
Ne jemi përpara një të panjohure se në VKM nuk thuhet asgjë për procesin se çfarë do të ndodhë me institutet, nëse do të ruajnë statusin që kanë.
Akademia e Shkencave është ende një ngrehinë që nuk bën studim shkencor, është një akademi honorifke.
Kthimi i kësaj shkence në njësi kërkim shkencor që e bëjnë institutet është një ulje në nivelin që duhet të ketë Akademia e Shkencave.
Ka dhe Akademi që kanë institute, por ato bëjnë dhe politikë të jashtme të specialistëve të fushës në gjithë Europën dhe në gjithë botën, janë akademi që kanë tjetër nivel.
Akademia jonë nuk bën politikë të jashtme, por do i marrë institutet e kërkimit shkencor dhe do të mbyllet brenda studimeve që ata bëjnë.
Nuk është Akademia e Shkencave ajo që ka vendosur bazat e Albanologjisë.
Albanologjia ka ekzistuar dhe para vitit 1944 se kemi pasur figura dhe institute shqiptare.
Ishte kjo bazë që solli pak a shumë gjithë këtë vërshim që në 1972 me krijimin e Akademisë së Shkencave.
Përzhita deklaroi se çështja do të shkojë në gjykatë në mënyrë që të kërkohet e drejta.



