Në zonën e Kombinatit prej vitesh, mes rrugës dhe trotuarit janë vendosur disa puse të mëdha, të cilat janë burim aksidenti për këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve. Qytetarët shprehen të shqetësuar për sigurinë e jetës.
Pas interesimit që bëri në disa institucione “Xhadat” konfirmoi se këto puse janë vendosur në kuadër të projektit “Për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve të Tiranës së madhe.”
Ky projekt është financuar nga agjencia japoneze në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
Fillimi i lidhjes së kontratës mban datën 30.01.2014 dhe në tërësi projekti kushton 81 milionë euro.
Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit subjektet që po zbatojnë kontratën Dondi Itali dhe Kubota Japoni, janë në gjyq me shtetin shqiptar që prej vitit 2018, ku janë ndërprerë edhe punimet.
Deri në këtë fazë ishte realizuar 70% e punës në vlerën e 56 milionë euro.
Po sipas KLSH, dëmi që mund t’i shkaktojë buxhetit të shtetit ndërprerja e kësaj kontrate përllogaritet në vlerën e 90 milionë euro, pra 9 milion euro më shumë se investimi.
“Xhadat” u interesua edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Tiranë dhe përgjigjja që u dha nga kjo drejtori ishte se pas përfundimit të projektit, në kompetencë të këtij institucioni është vetëm shtrimi i asfaltit. Deri në momentin që do të merret një vendim nga gjykata, kjo drejtori nuk mund të bëjë asnjë veprim.
E pyetur nga “Xhadat” për problemin, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve të Ngurta thotë se ky projekt aktualisht është i pezulluar për shkak të terminimit të kontratës me kontraktorin e punimeve për mospërmbushje të kushteve të kontratës.
Pusetat aktualisht sipas AKUM janë në kushtet e ruajtjes dhe mirëmbajtjes nga ana e tyre.



