Ilir Meta ka folur për herë parë për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani. Duke folur në “Top Story” të Sokol Ballës, kreu i Kuvendit dhe numri një i LSI-së, ka treguar edhe arsyet e shkarkimit të Manjani.
Meta tha se Manjani dhe Rama kishin marrëdhënie të vështirë që e bënin të vështirë funksionimin e qeverisë.
Ai gjithashtu ka kritikuar ishministrin për metodën e ngritjes së shqetësimeve të tij. “Unë jam për raport bashkëpunes. Jam për atë që ministrat t’i shprehin mendimet, por dua më shumë një punë në ekip. Në rastin konkret ka pasur disa herë debate dhe marrëdhënie të vështira mes tyre dhe kjo nuk po e ndihmonte funksionimin e qeverisë. Një ministër para se të ngrejë pretendime, edhe pse të drejta, duhet të flasë në qeveri, në institucione, por rruga e tij nuk ishte e tillë dhe bëri shumë surpriza”, tha Meta.
Duke u ndalur tek kritikat e bëra edhe nga ministri Lefter Koka dhe Vangjel Tavo, kreu i LSI tha se: “Nuk kam problem as me Tahirin e as me ndonjë tjetër. Nuk duhet të nisemi nëse tha diçka Tavo. Deklarata mund të ishte më e përmbajtur, por ka segmente brenda policisë që e tolerojnë apo kanë patur bashkëpunim me këto segmente, por nuk mund të thuhet policia merret me këto punë, se do të ishte një gabim. Kjo është një luftë e vazhdueshme. Ata që janë në qeveri, këto shqetësime t’i ngrejnë më fort në qeveri”.



