
Ngacmimi seksual i dy nxënëseve nga një mësues 55-vjeçar në fshatin Rrajcë të Prrenjasit ka shkaktuar një alarm në komunitet, duke ngritur pyetje mbi sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në shkolla.
Ky rast është bërë publik pas denoncimit të bërë nga familjarët e dy nxënëseve, të cilat kanë akuzuar mësuesin për ngacmime seksuale.

Punonjësi social Klaudio Pulaha, në një intervistë për "MCN Live", ka komentuar këtë rast, duke theksuar se është për t'u përshëndetur reagimi i kolegëve të mësuesit dhe i drejtuesve të shkollës që kanë sinjalizuar për këtë çështje.
Ai shton se është e rëndësishme të zbulohet nëse ka pasur raste të tjera ngacmimesh dhe viktima të tjera që mund të kenë pësuar nga sjellja e këtij mësuesi.
Kjo ngjarje është ende në hetime, dhe do të jem i rezervuar për të folur në detaje, por është e rëndësishme të falënderojmë mësuesit që e sinjalizuan këtë sjellje dhe e raportuan tek drejtori. Megjithatë, duhet të theksoj se ende ka shumë drejtorë shkollash që nuk i marrin seriozisht këto raste dhe nuk veprojnë siç duhet.
Në vitet e fundit ka pasur disa raste të ngjashme, por shumë mësues dhe drejtues shkollash nuk kanë marrë masat e duhura për të bërë denoncime të tilla, pavarësisht se kjo është një detyrë ligjore.
Në raste të tilla, është e nevojshme që psikologët dhe punonjësit e shkollës të jenë të vëmendshëm dhe të kontrollojnë nëse ka shenja të ngacmimeve seksuale dhe nëse ka pasur edhe fëmijë të tjerë të ngacmuar. Unë këtë ngre si dyshim.
Nëse këto fëmijë kanë kaluar ndonjëherë në situata të tilla, duhet të zbulojmë sa më parë dhe të mos lejojmë që abuzuesit të mbesin të padukshëm. Psikologu i shkollës duhet të pyesë nxënësit për arsyet që ndihmojnë në krijimin e sjelljeve të dyshimta, si p.sh. mosdëshira për të shkuar në shkollë.
Pulaha gjithashtu foli për mungesën e edukatës seksuale në shkolla, duke e konsideruar këtë si një nga faktorët që kontribuojnë në rritjen e rasteve të ngacmimeve dhe abuzimeve.
Ai shpjegoi se ende shumë shkolla janë të pa përgatitura për të trajtuar këtë çështje, dhe fëmijët nuk e kanë të qartë se si të mbrohen nga ngacmimet seksuale dhe te raportojnë denoncimet nga të rriturit, që shpesh fshihen nën sjellje të mira.
Në shumë shkolla nuk flitet për edukimin seksual, dhe shpesh nxënësit ndahen në grupe të ndara sipas gjinisë, pa pasur një mësim të hapur dhe të drejtpërdrejtë mbi këto çështje.
Edukimi seksual është jetik për të parandaluar ngacmimet dhe abuzimet. Çdo fëmijë duhet të dijë se ka të drejtën të mbrohet dhe të flasë nëse ka përjetuar një sjellje të papërshtatshme.
Shpesh një pedofil nuk arrihet të identifikohet nga komuniteti, sepse mund te ketë një bachground të mirarsimuar, të respektuar, por ata arrijnë të bëjnë veprime te tilla në fshehtësi, dhe se askush nuk bindet s e ka bërë një gjë të tillë.
Shumë organizata janë të gatshme të ofrojnë mbështetje dhe mbrojtje për çdo fëmijë që mund të ketë qenë viktimë e ngacmimeve seksuale dhe se është e rëndësishme që këto raste të raportohen dhe të trajtohen me seriozitetin që meritojnë.



