Gjatë vizitës që kreu i Parlamentit Ilir Meta po zhvillon këto ditë në Greqi, takimin e radhës e pati me presidentin e shtetit fqinj Prokopis Pavlopulos. Nga mediat greke mësohet se gjatë këtij takimi Pavlopulos e priti Metën në Pallatin Presidencial, ku i tha se grekët kanë treguar se si të respektohet historia, ashtu siç na ka mësuar Tukididit dhe Herodoti. “Ata jo vetëm që na i mësuan ne, por gjithë botës”- theksoi Presidenti.
Ndërkohë, Pavlopulos kërkoi nga Meta respektimin e të drejtave të komunitetit grek në Shqipëri, por edhe nevojën për t'i dhënë fund pezullimit të ngritjes së varrezave greke në Shqipëri. Nga ana tjetër, presidenti përmendi edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj, duke vlerësuar kontributin e tyre. Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, falënderoi përzemërsisht Presidentin për mikpritjen e ngrohtë dhe e ftoi atë të vizitojë Shqipërinë, duke theksuar se “Ne jemi të gatshëm për të ndërtuar marrëdhënie shembullore me Greqinë”.
Më tej Meta shtoi se “Marrëdhëniet tona duhet të jenë vëllazërore. Këto marrëdhënie aq të forta janë formuar gjatë 26 viteve. Problemeve që kemi trashëguar duhet t’iu qasemi me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe në përputhje me standardet dhe vlerat evropiane”.



