Komiteti Teknik i Ekspertëve është mblidhur mesditën e sotme, për të informuar lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi. Në mbledhjen e sotme, Komiteti i Ekspertëve tha se ka vlerësuar dinamikën e përhapjes së virusit.
“Javën e fundit, siç e keni parë dhe në raportimet tona të përditshme, situata ka mbetur e qëndrueshme. Arma më e mirë është vaksinimi. Dhe kjo është një nga bazat ku po fokusohemi.”, theksoi Rakacolli.
Ndërsa, kryetarja e ISHP, Albana Fico, vuri theksin te vaksinimi i qytetarëve, duke iu bëri thirrje kryesisht studentëve dhe të gjithë arsimtarëve, që të vaksinohen sa më parë, meqë pritet edhe hapja e shkollave.
“Gjirokastra, Delvina, Përmeti, kanë ecur përpara me vaksinimin. E rëndësishme është të theksohet se po vijojnë vaksinimet në qendrat e vaksinimit, në qendrat shëndetësore, dhe ne akoma vijojmë të jemi në muajin e hapur të vaksinimit masiv. Duhet kuptuar fakti që ky muaj bëhet i rëndësishëm, sepse është një periudhë që përkon me hapjen e shkollave. Ftojmë të gjithë studentët, arsimtarët, e të gjithë ata që duhen vaksinuar, që të shkojnë pranë qendrave e të vaksinohen”, tha Fico.
Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në QSUT tha se gjatë kësaj jave ka patur një rritje të numrit të vaksinimeve të kryera, kryesisht me doza të dyta. Sipas Binos, Gjirokastra është Bashkia që ka mbulesën më të mirë vaksinale, 80% me një dozë dhe 60% me dy doza.
"Ka pasur një përmirësim edhe në bashki të ndryshme për vaksinimin. Ka qenë Durrësi që ka dalë nga zona e kuqe pasi ka më shumë vaksinime. Më të mirë mbulesën vaksinale është bashkia e Gjirokastrës me 81% me një dozë dhe mbi 60% me dy doza. Në veri kemi një mbulim në rritje të vaksinimit. Arsimtarët kanë një mbulesë më të mirë se pedagogët dhe mësuesit e çerdheve. Nuk ka vaksinë që është skaduar dhe nuk është përdorur në vendin tonë. Është përdorur në të gjitha rregullave nuk kemi humbje të vaksinave. Pra zero humbje të vaksinës”, tha Bino.



