Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë seriozisht epideminë e koronavirusit, ku përveç pasojave shëndetësore që mund të sjellë, vendi po u paraprin edhe pasojave ekonomike.
Banka Qendrore Amerikane, “Federal Reserve”, ka ulur normën bazë të interesit me 0.5 për qind, duke e çuar atë në kufijtë e 1 dhe 1.25 përqindëshit.
Ky vendim pason takimin e ministrave të Financave të G7-ës, që u zhvillua të martën dhe zotimit të tyre për të ndërmarrë veprime e vendime për të zbutur ndikimet e koronavirusit në ekonomi.
Vendimi pason gjithashtu edhe disa parashikime të zymta të agjencive dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, që thonë se koronavirusi mund të zhysë dhjetra ekonomi në recesion.
“Ekonomia jonë mbetet e fortë, por është e vështirë që të parashikohet forca goditëse dhe jetëgjatësia e efekteve të virusit që po përhapet. Viruesi dhe masat që po merren për ta kontrolluar atë me siguri që do të kenë ndikim në ekonomi për një kohë të caktuar, si në SHBA, ashtu edhe në mbarë botën”, deklaroi në një konferencë për shtyp nga Uashingtoni Jerome Poëell, kreu i “Federal Reserve”.
Poëell thotë se shpreson që masa t’i japë një hov ekonomisë në një periudhë pasigurie dhe paqartësie të tregjeve globale.
Kjo është ulja më e madhe e normës bazë të interesit që Federal Reserve ndërmerr që prej vitit 2008, kohë kur bota sapo kishte hyrë në kulmin e krizës financiare globale.
Federal Reserve shpreson se me këtë vendim do të nxisë konsumin dhe vetëbesimin e sipërmarrjes, duke garantuar likuiditet të mjaftueshëm në treg. /BBC



