
Drejtori Ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali tha për MCN Tv live nga protesta e gazetarëve që po zhvillohet përpara kryeministrisë se gazetarët duhet të bojkotojnë çdo konferencë apo organizm PR që thirr kryeministri pasi kjo është e vetmja mënyrë që ai të marrë vesh. Në fjalën e tij, Cukali tha se jashtë shtetit kryeministri thotë se në Shqipëri ka liri të medias por kjo gjë nuk është e vërtetë.
Kjo është normale se kryeministri i konsideron gazetarët si të punësuarit e vet, që mund të na heqë nga puna, që mund të na çoje në shtëpi. Nuk më habit sjellja e kryeministrit, e vetmja gjuhë që kryeministri njeh është ngritja e zërit të gazetarëve. Kryeministri është aty për t’i përgjigjur pyetjeve dhe për të qeverisur, nuk është në dorën e tij të thotë nëse është etike apo jo.
Gazetarët duhet ta heqin kryeministrin, kjo është nisma që propozojmë, në formën e batutës. E vetmja formë që ky kryeministër merr vesh është gjuha e forcës. Zgjidhja është bojkoti, asnjë gazetar nuk duhet të shkojë në konferenca apo organizime PR.
Më duhet të sqaroj, kryeministri thotë që ka liri të medias, ai mendon se debatet janë liri. Liri e medias është ajo pyetje që ai nuk e lejon gazetarin ta bëjë. Ky kryeministër këtë lloj brumi ka. Bojkotimi është në dorë të redaktoreve dhe pronarëve, por ata nuk i kanë ato gjërat për t’i thënë jo kryeministrit.
Nuk mund të përjashtosh gazetarë, apo të mos akreditosh pasi bën pyetje që nuk të pëlqejnë. Fakti që janë mbledhur më duket shenjë e mirë. Gazetarët duhet të mblidhen pa pyetur se çfarë do të thonë redaktorët.



