Kryeministri Rama paralajmëron Berishën se Drejtësia do të pastrohet nga prokurorët e lidhur me politikën dhe me trungun e tij. Nga ana a tij Berisha i tha Ramës se “do të përfundosh si Ponta (kryeministri i Rumanisë). Ja dy ndërhyrjet e kryeministrit Rama.
Replika e parë:
Sali, unë kam 3 vjet këtu dhe është hera e parë që je përgatitur me shkrim, tamam si ata dëshmitarët e rremë që përgatiteshin me shkrim në kohën e partisë tënde të parë që të mos i kapte në kundërthënie Gjykata. Mirë ke bërë, se, tani që kaloi paketa kushtetuese do të duhet të bësh disa fjalime me shkrim, parashikoj unë, se reforma vazhdon edhe si dihet se ku do jesh dëshmitar në të ardhmen.
Për sa i përket asaj të dytës, për këtë partinë e dytë tënden, një gjë të them Sali: atij djalit që ke lënë roje aty, o jepi lirinë, o thuaji që mos ankohet se nuk e lë ti. Se na bën qesharak të gjithëve, se opozitën e duan të gjithë.
Urime për fitoren!
Replika e dytë:
Fakti që në ditë pushimi ti bëre fjalim me shkrim, tregon se sa shumë i lumtur je që kaloi reforma. Por mos u mërzit, e kaluam pak edhe në Kushtetuese. Siç e kam thënë, ashtu do bëhet! Do ta shikosh vetë se si të tërë prokurorët e gjykatësit që janë të lidhur pas trungut tënd, do ikin aty ku e kanë vendin dhe do pastrohet Pallati i Drejtësisë nga gjithë llumi që mblodhe ti. Kjo është e sigurt. Të tjerat pastaj ia lëmë kohës Sali. Përgatitu për më shumë fjalime me shkrim. Më dëgjo mua, se do të të duhen.



