Filiali i një banke të nivelit të dytë në Koplik, ka rënë pre e grabitjes me armë mesditën e sotme.
Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se tre persona me një makinë tip golf të zi, kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash dhe janë larguar.
Të dyshuarit kanë kërcënuar me armë punonjësit, duke arritur që të marrin shumën e parave, për t’u larguar më tej nxitimthi, bashkë me shumën e marrë.
Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, për të hedhur dritë mbi rrethanat e grabitjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë pak pas ngjarjes makina tip "Volkswagen" është gjetur e djegur në dalje të qytetit.
Policia tha zyrtarisht se:
Rreth orës 14:10, jemi njoftuar se disa persona të paidentifikuar kanë vjedhur, nën kërcënimin e armës, një shumë parash në filialin e një banke të nivelit të dytë, në Koplik, Malësi e Madhe, dhe më pas janë larguar me një mjet tip “Volkswagen”, të cilin e kanë djegur në dalje të qytetit. Personat, ende të paidentifikuar, pasi kanë djegur automjetin e tyre, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një automjet tjetër tip “Benz” të një qytetari të rastit dhe janë larguar.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe grupe të FNSH Shkodër.
Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave të saj.



