Donald Trump do të lejohet të kthehet në Facebook dhe Instagram, pasi Meta njoftoi se do t'i jepte fund pezullimit dyvjeçar të llogarive të tij. Pezullimi do të përfundojë "në javët e ardhshme", tha gjigandi i mediave sociale.
Në një deklaratë, Nick Clegg, presidenti i Metës për çështjet globale, tha se publiku "duhet të jetë në gjendje të dëgjojë se çfarë thonë politikanët e tyre".
Presidenti i atëhershëm i SHBA-së u pezullua për një kohë të pacaktuar nga Facebook dhe Instagram pas trazirave të Kapitolit në 2021. “Pezullimi ishte një vendim i jashtëzakonshëm i marrë në rrethana të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Ai tha se një rishikim zbuloi se llogaritë e zotit Trump nuk përfaqësonin më një rrezik serioz për sigurinë publike. Por për shkak të "shkeljeve" të së kaluarës së zotit Trump, ai tani do të përballet me dënime të larta për shkelje të përsëritura.
Republikanët kanë bërë presion që zoti Trump të lejohet të kthehet në Facebook ndërsa ai përgatitet të kandidojë sërish për presidencën vitin e ardhshëm.
Trump postoi në kompaninë e tij të mediave sociale, Truth Social, si përgjigje të mërkurën, duke thënë se Facebook kishte "humbur miliarda" pasi ndaloi "presidentin tuaj të preferuar, mua".
"Një gjë e tillë nuk duhet t'i ndodhë më kurrë një presidenti në detyrë, apo kujtdo tjetër që nuk e meriton ndëshkimin!" ai shkroi.
Donald Trump tani ka një vendim për të marrë. Truth Social, një platformë e mediave sociale që ai ngriti në vitin 2021, ka shumë më pak përdorues se Facebook. Facebook ka tre miliardë përdorues.
Truth Social mund të ketë deri në pesë milionë llogari - megjithëse ka të ngjarë që ka shumë më pak përdorues aktivë.
Megjithatë, zoti Trump ka një marrëveshje ekskluziviteti me Truth Social - kjo do të thotë se ai kërkohet ligjërisht të postojë së pari në platformë - gjashtë orë përpara çdo platforme tjetër.
Do të thotë nëse ai poston në Facebook ose Twitter - ka një shans që ai të paditet.
Analistët paralajmërojnë gjithashtu se nëse zoti Trump do të ndalonte përdorimin e Truth Social, ose të postonte përmbajtje diku tjetër, platforma do të luftonte për të mbijetuar.



