
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ai dhe Presidenti amerikan Donald Trump ranë dakord të “forcojnë mbrojtjen” e qiejve të Ukrainës, gjatë një bisede telefonike mes tyre ditën e sotme.
Donald Trump i tha Volodymyr Zelesnky se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të ndihmojnë Ukrainën me mbrojtjen ajrore pas përshkallëzimit të sulmeve të Rusisë.
Axios raporton, duke cituar burime, se të dy udhëheqësit kanë rënë dakord për një takim midis ndihmësve të tyre për të diskutuar mbrojtjen ajrore dhe furnizimet e tjera me armë.
Trump tha se dëshiron të ndihmojë me mbrojtjen ajrore dhe se do të monitorojë se çfarë është ndaluar”, tha një burim, duke iu referuar pezullimit të dërgesave të disa municioneve dhe armëve në Kiev.
Axios raporton se ishte një “bisedë e mirë”. Të dy udhëheqësit patën një telefonatë 40-minutëshe gjatë së cilës diskutuan përshkallëzimin e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës dhe furnizimin e Kievit me mbrojtje ajrore.
Biseda midis Zelensky dhe Trump ishte “shumë e rëndësishme dhe domethënëse”, tha ndihmësi i udhëheqësit ukrainas, Andriy Yermak, nga Kievi.
Kremlini beson se është e pamundur në këtë fazë të arrijë qëllimet e tij në Ukrainë përmes kanaleve diplomatike.
“Gjatë bisedës telefonike me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Putin përsëriti se ne jemi të interesuar të arrijmë qëllimet tona gjatë operacionit special ushtarak dhe është e preferueshme ta bëjmë këtë përmes mjeteve politike dhe diplomatike, por derisa kjo të jetë e mundur, ne do të vazhdojmë operacionin tonë special ushtarak”, tha zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, duke përdorur përkufizimin e Kremlinit për agresionin ushtarak kundër Ukrainës nga trupat ruse.
“Sigurisht, ne i kushtojmë vëmendje të madhe të gjitha deklaratave të Trump”, tha zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me deklaratat e presidentit amerikan, i cili tha se i tha Putinit në një bisedë telefonike mbrëmë se nuk ishte i kënaqur me situatën në Ukrainë, ku lufta vazhdon.
Sipas Peskov, Putin i tha Trump se Moska po priste një marrëveshje për datat e një raundi të tretë negociatash të drejtpërdrejta, pas atyre të 16 majit dhe 2 qershorit në Stamboll.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se sot u krye një shkëmbim i ri të burgosurish me Ukrainën, bazuar në marrëveshjet midis palëve të nënshkruara më 2 qershor në Stamboll.
Ministria nuk specifikoi se sa ushtarë u liruan nga secila palë. Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon gjithashtu se trupat e saj kanë marrë kontrollin e pesë fshatrave ukrainase gjatë javës së kaluar, përfshirë, në 24 orët e fundit, atë të Predtechine, në rajonin e Donetskut në Ukrainën juglindore, raportoi agjencia zyrtare ruse e lajmeve Tass.
Sulmet e Rusisë kundër Ukrainës mbrëmë ishin më të mëdhatë që nga fillimi i luftës në vitin 2022, tha zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës.
“Armiku sulmoi me një numër të madh dronësh, ky është numri më i madh që armiku ka përdorur ndonjëherë në një sulm të vetëm”, tha Yuri Ignat për televizionin ukrainas.
Forcat ruse sulmuan Ukrainën me 550 dronë dhe raketa gjatë natës, duke filluar nga ora 18:00 dje, dhe nga këto 268 u rrëzuan dhe 210 u neutralizuan nga kundërmasat elektronike, të tjerat ranë në zona të hapura ose humbën rrugën, ndërsa të paktën 8 goditën objektivin.
Sulmi u përcaktua nga Kievi si më intensivi që nga fillimi i luftës. Mbeturinat ranë, duke shkaktuar dëme, në të paktën 33 pika.
Në detaje, 539 ishte numri i përgjithshëm i dronëve të lëshuar, nga të cilët 330 ishin Shaheds të prodhuar në Iran dhe të tjerët ishin kryesisht karrem për të ngatërruar zjarrin kundërajror, përveç një rakete balistike Kh-47M2 Kinzhal, 6 raketave balistike Iskander-M/Kn-23 dhe 4 raketave kruz Iskander-K.
Ukraina thotë se mbeturinat nga dronët që ranë gjatë sulmeve të rënda ruse gjatë natës vërtetojnë se disa prej tyre janë prodhuar në Kinë.
Në një postim në X, Ministri i Jashtëm Andrii Sybiha poston foto të mbeturinave dhe thotë se nuk ka “metaforë më të mirë” për mënyrën se si Rusia vazhdon të zgjerojë luftën e saj “duke përfshirë të tjerë, duke përfshirë trupat e Koresë së Veriut, armët iraniane dhe disa prodhues kinezë”.
Ironia, shton Sybiha, është se ndërtesa e konsullatës kineze në Odessa pësoi dëme të vogla si rezultat i sulmeve ruse në qytet.



