Situata e krijuar në vendin tonë si pasojë e zjarreve që kanë pushtuar zonat pyjore, kanë nxjerrë në terren zëvendësministren e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici. Kjo e fundit është shprehur nga Ksamili se autorët e zjarreve të qëllimshëm do të vihen para përgjegjësisë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të kenë kujdes nga zjarret. Gjithashtu, ajo është shprehur se strukturat janë në krye të detyrës për çdo situatë emergjente.
Ajo theksoi se temperaturat janë në disfavor ndërsa falenderoi gjithë efektivët që janë angazhuar në këto ditë vere për të shuar zjarret.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes janë angazhuar këto ditë përkrah pushtetit vendor për shuarjen e vatrave të zjarreve në zona të ndryshme të vendit. Pas gati 8 orësh në betejë me flakët u arrit që të izolohej vatra në kodrat e Ksamilit. Operacioni u ndoq nga zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, e cila në përfundim inspektoi terrenin, dhe përgëzoi efektivët e DMR Gjirokastër dhe forcat zjarrfikëse, për punën e palodhur.
Një falenderim shkon, jo vetëm për forcat operacionale, efektivët e Ksamilit, por për të gjithë efektivët e Shqipërisë, të cilët janë duke shuajtur varta të tjera zjarri. Edhe një herë treguat që me punën dhe përkushtimin tuaj të arrijmë që të mos kemi pasoja.
Unë do të kisha një thirrje për të gjithë banorët e Ksamilit, pushuesit, të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm me veprimet e tyre dhe siguroj që kushdo që me veprimet e tij rrezikon të shkatërrojë natyrën e bukur që na ka falur Zoti do të vihet para përgjegjësisë penale. Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të gjitha strukturat e tjera përgjegjëse do të jenë në krye të detyrës për çdo situatë emergjente, që mund të na paraqitet, duke patur parasysh se jemi në stinën e verës dhe temperaturat e larta janë në disfavorin tonë.



