
Në një lidhje skype me studion e lajmeve në MCN TV lidhur me ecurinë e hetimeve për inceneratorët ka qenë Silva Caka nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Teksa e ka cilësuar si një nga megaaferat, ajo tha se deri tani veprimet e SPAK për këtë çështje janë konsideruar si episodike dhe shumë sipërfaqësore.
Më tej ajo shton se SPAK duhet të veprojë duke ndërprerë kontratën e këtyre kompanive, duke mos lejuar që ato të vjedhin ende nga buxheti i shtetit dhe taksat e shqiptarëve.
Sipas Cakas, vjedhja e parave të shqiptarëve është e papranueshme dhe se LSI do përpiqet që SPAK të mos behët bashkëfajtor me ta.
Inceneratorët janë një megaaferë, LSI ka pritur nga SPAK një qëndrim dhe njëkohësisht veprime ndaj personave që mbajnë detyra të rëndësishme. Duke qenë se deri më sot ka kaluar një vit nga padia e parë e depozituar nga LSI, ne kemi pritur të gjitha afatet që parashikon kodi penal kemi pritur që të kishim disa vendimmarrje nga ana e SPAK sepse deri tani ato veprime janë parë në gjykimin tonë si episodike dhe shumë sipërfaqësore. Kemi nën akuzë penale vetëm dy nga shumë të tjerë që kanë qenë me detyra të rëndësishme, por nuk mbaron me kaq sepse lista duhet të fillonte dhe me atë që ka firmosur që është kryeministri Rama, Agaçi, Veliaj, Subashi por dhe shumë drejtorë në kryeministri të cilët praktikisht kanë qenë përgjegjës për çdo shkelje. Dhe jo vetëm kaq kemi kërkuar informacione dhe për grupin që kanë qenë prezent për inceneratorët.
Këto deklaratat tona publike do të marrin forma ligjore dhe pse SPAK nuk bllokon të gjitha asetet e këtyre kompanive si Zoto, Gugalli. Qeveria i akordoi fonde pak ditë më parë këtyre kompanive. Pse nuk vepron SPAK, ata janë juristë vetë dhe e kanë të qartë se veprat penale nuk konsumohen vetëm me veprime por dhe me mosveprime. Duhet të ndërpriten kontratat që këto kompani të kenë ende lidhje me qeverinë duke marrë ende para nga buxheti i shtetit dhe taksat e shqiptarëve. Çfarë pret SPAK, të marrë dhe qindarkën e fundit? Këto janë pyetjet që ne na kanë shqetësuar dhe na detyruan që dje të bënim kërkesën për informacione. Nuk do lejojmë që paratë e të gjithëve ne të shkojnë në xhepat e Veliajt, Agaçit, Zotos, etj. Vjedhja e parave të shqiptarëve është e papranueshme dhe do përpiqemi që SPAK të mos behët bashkëfajtor me ta. SPAK duhet të marrë masa, ne LSI kaq e kemi parë të mundshme të bëjmë por ndoshta do duhet një gjë më e madhe se kaq. Nuk duhet të presim 30 vite nga krijimi i kontratës që të veprojë SPAK. Shpresoj shumë që dhe të tjerë përgjegjës të hetohen.



