
Trajneri Gentian Lama në ‘MCN Live’ ka komentuar lidhur me kampionatin europian të notit ku Shqipëria u përfaqësua me notarin me sindromën Down, Gersi Troka.
Ai tha se suksesi i arritur në këtë kampionat ka ardhur si pasojë e vullnetit dhe punës së Gersit, ndërsa i bëri thirrje qeverisë për më shumë ndihmë financiare, por dhe për një ligj specifik që medaljet e fituara të përkthehen në vlera monetare.
Ndër të tjera ai zbuloi edhe që tashmë kanë nisur stërvitjen për kampionatin botëror i cili mbahet në tetor në Portugali, ku synojnë të arrijnë një tjetër suskes.
Ky është viti i disatë që marrim pjesë në kampionat evropian edhe këtë vit me sukses kështu që falë këtij suksesi është puna sistematike dhe ne do vazhdojmë të përgatitemi gjithmonë për aktivitet të tilla dhe për më lartë. Gersi është i vetmi sportist që përfaqëson Shqipërinë në not, ne do vazhdojmë të përgatitemi dhe më shumë dhe kur pjesëmarrja është e përbërë nga shumë shtete kjo konsiderohet arritje në vetvete. E rëndësishme është vërtetë pjesëmarrja, por për Gersin nuk ka rezultuar ashtu sepse ai është shpallur kampion duke rrëmbyer një vend të dytë dhe të 4 që do të thotë shumë të ngresh flamurin shqiptar. 15 shtete ishin pjesëmarrës, mbështetja duket që te prezenca e sportistëve që janë pjesë e aktivitetit. Ukraina është vendi që përfaqësohet dhe është i fortë në këtë kampionat, pastaj Suedia, Bullgaria me një numër të madh sportistësh. Numri i pjesëmarrësve është rritur dhe me këtë dhe konkurrenca bëhet më e fortë. Kur përfaqësohesh me një sportist është shumë e vështirë shteti duhet të na ndihmojë financiarisht.
I pyetur se çfarë synojmë ne tani, trajneri Lama tha se janë duke u përgatitur për kampionatin botëror i cili mbahet në tetor në Portugali, ndërsa zbuloi se në këtë event është Bashkia e Tiranës ajo që do i ndihmojë.
Ne po përgatitemi për kampionatin botëror që do zhvillohet në Portugali në tetor. Ne kemi nisur nga dje stërvitjen për këtë kompeticion të radhës sepse të marrësh pjesë në një kampionat botëror nuk është e lehtë. Doja ta lija me kaq pa zbuluar shumë gjëra sepse është diçka që e kemi në proces. Pjesën e financimit e kemi rregulluar dhe është bashkia e Tiranës ajo që do të na mbështesë. E ka bërë dhe më herët dhe do na ndihmojë sërish. Ajo që do veçoja ishte një thirrje për qeverinë që të bëjnë me ligj që dhe personat me aftësi ndryshe medaljet e marra tu përkthehen në vlerë monetare.
Nga ana e tij notari me aftësi ndryshe, Gersi Tropka deklaroi se ndjehet shumë i lumtur për arritjet e tij, ndërsa shtoi se synimi i tij është qartë që të arrijë finalen.
Nderova Shqipërinë dhe u ndjeva mirë. Unë notin e kam nisur herët prej vitesh dhe tani po korr suksese. Objektivat janë të qarta dua të arrij finalen s’ka rëndësi kush del i pari dhe i fundit, për mua ka rëndësi pjesëmarrja. Kërkoj të ndihmohen nga shteti personat me aftësi të kufizuar. Problemi më i madh është tek mësuesit që s’kanë në shkolla për këta persona. Edhe ministria e Arsimit duhet të bëjnë më shumë për këta persona të përfshihemi në një grup dhe të ketë politika gjithëpërfshirëse për personat me aftësi ndryshe.



