Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, thotë se dosja në ngarkim të Klement Balilit është në në dorë të Prokurorisë që prej ditës së djeshme. Në një postim në profilin e tij në FB, Manjani sqaron “udhëtimin” e dosjes që nga përkthimi deri tek dorëzimi.
Dosja origjinale e Balilit, i njohur me nofkën Eskobari i Ballkanit, u është dorëzuar autoriteteve shqiptare nga pala greke që prej datës 14 nëntor dhe në datën 16 ka mbërritur në ministri, ndërsa dje është dorëzuar në Prokurori. Manjani thotë se përkthimi në gjuhën shqipe është bërë në një kohë rekord, duke angazhuar 15 përkthyes.
Manjani shprehet se Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetencat për të kryer arrestime, prandaj këtë duhet ta bëjnë ata që i kanë.
“Këtij grupi dua t’i sjell në vemendje se ministri i Drejtësisë nuk është as Prokuror, as Gjykatës e as Polic! Që do të thotë kushdo që e ka në dorë për ta arrestuar e gjykuar ligjërisht Klement Balilin dhe këdo tjetër bën mirë ta bëjë! Këtë gjë e kam thënë që në muajin maj të këtij viti dhe nuk e ndryshoj aspak qëndrimin! Punë të mbarë drejtësisë! Të tjerat s’kanë më asnjë rëndësi!”, shkruan Manjani.
Hapat që janë ndjekur për dosjen Balili
1-Që prej ditës së djeshme, pra para se të bëhej lajmi Prokuroria Shqipëtare ka në dispozicion dosjen e përkthyer zyrtarisht. Ministri i Drejtësisë është autoriteti ligjor që përkthen dhe çertifikon përkthimet ligjore.
2-Dokumentat origjinale në gjuhën Greke ne i kemi marrë zyrtarisht, më datë 14 Nëntor 2016. Kjo dosje ju përcoll ashtu siç ishte brenda ditës Prokurorisë. Kjo e fundit i regjistron këto dokumenta në dosjen hetimore.
3-Më datë 16 Nëntor, është sjellë në Ministri, nga Prokuroria kopja e dosjes për tu përkthyer zyrtarisht. Procedurë e kërkuar nga ligji.
4-Menjëherë zyra e përkthimeve ligjore në Ministri, si për çdo rast tjetër ka filluar punën për përkthimin dokumentave. Fillimisht u angazhuan 10 përkthyes dhe në vijim u shtuan edhe 5 të tjerë.Praktika ime e punës është veprim sa më i shpejtë, veçanërisht në çështjet ë marrëdhënieve juridiksionale me jashtë. Kjo zyrë administron të dhëna konfidenciale në shërbim të proceseve hetimore dhe jo vetëm.
5-Koha që u harxhua për përkthim ishte rekord! Përkthime të kësaj natyre janë të vështira sepse kërkojne nivel profesional. Kjo vështirësi shtohet kur volumi është i madh! Sidoqoftë tashmë dosja e përkthyer zyrtarisht është dërguar dje, datë 06.12.2016



