
Tre kandidatë për Gjykatën Kushtetuese janë thirrur të martën në Komisionin e Ligjeve në një seancë dëgjimore, të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë.
Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarët, Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji si dhe Elsa Toska i janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve. Gjatë prezantimit të saj, kandidatja Vorpsi theksoi se nuk ka qenë asnjëherë e angazhuar në struktura politike, teksa nënvizoi se eksperienca e saj do t’i vijë në ndihmë Gjykatës Kushtetuese.
Gjyqtarja Elsa Toska, gjithashtu, vuri theksin te eksperienca e saj në fushën e së drejtës Kushtetuese. “Në vizionin tim Gjykata Kushtetuese duhet të orientohet tek respektimi i të drejtave të njeriut, në forcimin e legjitimitetit në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të behet neutralizuese e debateve kushtetuese politike”-, tha Toska ndër të tjera.
Këto tre emra do të përzgjidhen nga parlamenti për vakancën në Kushtetuese.
Më heret Besnik Muci u zgjodh si anëtar i Kushtetueses nga lista e Presidentit Meta.



