Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, i bëri thirrje SPAK-ut të nisë hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Zhupa i referohet akuzave të disa ditëve më parë, sipas të cilave Veliaj nëpërmjet përpunimit të mbetjeve po pastron paratë e organizatës mafioze italiane “Ndrangheta”.
Zëdhënësja e PD-së thotë se Flavio Tosi dhe Andrea Migliorazi akuzohen nga Prokuroria italiane që pastrojnë paratë e organizatës së njohur mafioze italiane dhe kjo është një indicie e mjaftueshme për të hetuar edhe Veliajn në Shqipëri për kompaninë “Eco Tirana”.
Disa ditë më parë, mediat italiane njoftuan se Antimafia Italiane ka vënë nën hetim me akuzën e bashkëpunimit me grupe mafioze e përvetësim të paligjshëm fondesh, ish-kryetarin e Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi.
Hetimet kanë zbardhur lidhjet e menaxherëve të kompanisë publike të komunës së Veronës, Amia, me aktivitet në administrimin e mbetjeve urbane, me eksponentë të klanit Arena-Nicosia të mafias kalabreze Ndrangheta me bazë në ishulin Capo Rizzuto në provincën e Krotones (Kalabri).
Ish-kryetari i bashkisë së Veronës, Flavio Tosi akuzohet për pjesëmarrje në përvetësimin e fondeve të shpërdoruara nga ish-Presidenti i kompanisë AMIA, Andrea Miglioranzi i vënë në arrest shtëpiak.
Ai akuzohet për një shumë jo më pak se 5 mijë euro e përdorur për të paguar faturën e një agjencie investigative hetimi e faturura për Amia, por e pëdorur për interesin privat të Flavio Tosi.
Ky operacion ka vënë nën sekuestro paraprak një pasuri prej 15 milionë euro, e konsideruar si frut i aktivititeti kriminal mafioz e që është nën investigimin e antimafias italiane.
Kompania publike Amia e komunës së Veronës ka nënshkruar në qershor të 2016 një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës për krijimin e dy ndërmarrjeve, Agsm Albania e Eco Tirana për pastrimin e menaxhimin e mbetjeve urbane e të diferencuar në qytetin e Tiranës.
Statusi i Zhupës
Veliaj duhet të hetohet nga SPAK!
Lidhja e tij me Flavio Tosin, me Andrea Migliorazin dhe gjithë veprimtaria e kompanisë “Eco Tirana” sh.a duhet hetuar nga organet e drejtësisë shqiptare.
Modeli i Veronës për Tiranën ishte refreni i Veliajt, pikërisht ky model që ka shërbyer sipas prokurorisë italiane për pastrimin e parave të pista të mafias italiane. Po Tirana si Verona a ka shërbyer për pastrimin e parave të pista? Po Veliaj si ortak 51% nëpërmjet a ka shërbyer?
Flavio Tosi i cili është personalitetit i Tiranës me firmën e Veliajt, i është dhuruar çelësi i qytetit sot është i akuzuar si bashkëpunëtor në pastrimin e parave të Ndraghetës! Sa të lidhur janë Veliaj dhe Tosi në veprimtarinë e tyre në pastrimin e plehrave të qyteteve, por edhe parave të pista të mafias italiane?
Hetimet e prokurorisë italiane kanë zbuluar se ortakja e kompanisë së plehrave të Tiranës ka qenë një mekanizëm për mafian e plehrave në Itali dhe pastrimin e parave të klanit mafioz Ndragheta. Deri ku e ka shtrirë këtë veprimtari në degën e saj në Tiranë – Eco Tirana?
Veliaj dhe kumbari i tij Edi Rama heshtin për këtë çeshtje! SPAK duhet të hetojë pa humbur kohë Erion Veliajn, lidhjet e tij me organizatën mafioze “Ndragheta” për pastrimin e parave nëpërmjet biznesit të mbetjeve.



