
Duke folur mbi sulmet kibernetike të Iranit, analisti Shpëtim Nazarko shprehet se Shqipëria është e pafuqishme për të përballuar lojëra të tilla të mëdha.
Nazarko shprehet për MCN Live se ndonëse Policia e Shtetit ka ndryshuar në formë, duhet reformim i sektorëve të caktuar, ku mbizotëruese të jetë teknika digjitale.
Jemi brenda situatës tipike të vendeve lindore, që kanë origjinën nga Turqia e largët, që mbyllin gjithnjë derën e kafazit pasi buajtë kanë marrë arratinë. Shqipëria është e pafuqishme për të përballuar lojëra të tilla të mëdha duke shikuar gjendjen e vendit dhe policisë e sekrtorëve përkatës. Prej kohësh duket që Shqipëria nuk e përballon dot këtë lojë të sistemit sepse Policia megjithëse ka bërë përparime në formë, janë veshur me uniforma të reja, janë futur djem të rinj, nuk është në gjendje ta ngrejë më lart këtë stad. Në mënyrën se si është e organizuar policia, mund të futen jo vetëm ata që kryejnë sulme kibernetike, por investitorë të njohur e të panjohur, të cilëve nuk mund t'u kontrollosh biografinë. Shqipëria e sotme kërkon forca të tjera për t’u mbrojtur nga e keqja, forca që kanë të bëjnë me kontrollin e natyrës së investimeve dhe investitorëve që hyjnë në Shqipëri. Mbledhja të paktën të shërbejë si sinjal për qeverinë që të kuptojë që sektorë të policisë duhet të reformohen në favor të asaj që quhet teknika digjitale, ku teknika digjitale të jetë mbizotruese. Në lidhje me natyrën e investimeve, në lidhje me natyrën e parasë së pistë, atyre bitcoinas-ave. Shqipëria është tmerrësisht e papërgatitur për këtë. Klasa politika është e paaftë për shkak të grykësisë së vet për të kuptuar nivelin e zhvillimit të vendeve të tjera, që kanë spostuar atë policinë e vet nga pistoleta te njerëz që luajnë kompjuterët, ose njerëz që janë në nivel të lartë cilësor në këto lloj teknika.
Ka disa ditë Ministria e Mbrojtjes kërkon ekspertë për teknikën kibernetike. Ministria e Mbrojtjes, ose Policia duhet të ketë shkollën e vet. Duhet të përshtasim natyrën e shkollave tona, ose shkolla që kanv sektorë të afërt me këtë, me specialistë të këtij lloji. Thelbi shtrohet që duhet të ketë një sistem arsimor që u përshtatet nevojave të shoqërisë. Akti i muxhahedinëve ishte një akt i veçuar, që nxjerr si çdo krizë në pah, një dobësi të shtetit. Shteti shqiptar të kuptojë më në fund që drejtimi lidhet me një shoqëri të re në të gjitha sektorët. Armët e vjetra ta zëvendësojmë me një shkollë të re. Edhe zyrat e punës po kërkojnë teknikë të këtij lloji, që janë në analogji me teknikët e dikurshëm që ndërtonin vendin. Shqipëria është tërësisht e papërgatitur dhe ky akt tregon dobësitë në sistem, jo vetëm të kësaj qeverie, por të të gjitha qeverive që e kanë drejtuar Shqipërinë në 30 vjet. E shikoj problemin shumë të madh, jo vetëm të lidhur me aktin e iranianëve. Thelbi është se kjo qeveri dhe paraardhëset, pavarësisht se kanë harxhuar 170 milionë euro, nuk kanë të bëjnë me një strategji. Paratë vihen në funksion të një strategjie. Shqipëria është e papërgatitur, pavarësisht se në qeverinë e Ramës është krijuar një polici me uniformë, e re në moshë, relativisht e shkolluar”.
Nazarko u shpreh se defekti i kryeministrit Rama është që ngatërron formën me përmbajtjen.
Defekti i Ramës është që ngatërron formën me përmbajtjen. Forma është produkt i përmbajtjes. Po këto plaçka të palara ose para të pista mund të viheshin në funksione të tjera, që të rrisnin hidrocentralet, pensionet. Rasti i fundit me atë kollaren që vinte vërdallë, tregon që ai do ngelet viktimë e mjerë e njeriut që ngatërron formën me përmbajtjen”.



