Pastorja pogradecare Aleketa Auer, tregon si nisi lidhja e saj me Zotin, për të cilin shprehet se është i gjallë.
Në emisionin “Zgjohu me MCN”, ajo tha se të gjithë njerëzit lindin me një boshllëk në zemrën e tyre të cilin mund ta plotësojë vetëm Zoti dhe dikush kërkon ta mbushë me gjëra të ndryshme në jetën e vetë, por kur arrin atë tokësoren, shikon se nuk mund ta plotësojë.
Auer rrëfen se e ka kuptuar që në fëmijëri se gjithmonë ishte duke kërkuar dashurinë, pasi e ndjente që i mungonte.

E kam kërkuar që në fëmijërinë time lidhjen me Zotin, nuk e di tamam, por e kuptoja që zemra ime kërkonte diçka të mbinatyrshme të më mbushte.
Pasi mbarova në shkollën e lartë, unë rashë në depresion të thellë dhe aty kuptova. Isha në depresion të thellë, tek unë ndodhi diçka.
Si shumë të rinj që kërkojnë të vrasin veten se i dashuri e ka lënë. Në të njëjtën kohë më vdiq edhe babai dhe kjo më çoi në depresion të thellë.
Kush është në depresion e di se ti nuk ndjen asnjë dhimbje, e di që ti vdes shpirtërisht. Depresionin mund ta kuptoj vetëm dikush që e ka kaluar apo e kalon.
Unë isha myslimane, kërkoja Zotin e myslimanisë, por ai asnjëherë nuk depërtoi në zemrën time.
Kolegia ime ishte ndryshe nga të gjithë, ajo shkonte çdo pushim lutej dhe më merrte me vete.
Duke shkuar gjithmonë tek ajo, zemra ime pa një dritë dhe thjesht kur ajo më sqaroi për kryqin se çfarë Jezusi bëri, zemra ime menjëherë u hap në një mënyrë që nuk e kisha provuar asnjëherë.
U hap ajo errësira dhe nuk u gjunjëzova më. Atëherë ngrita duart dhe thashë, “Zot shpëto fshatin tim”. U kthye si mision, dhe ne kemi një kishë në fshat dhe Zoti po bën gjëra të mëdha në Mokër.
Perëndia po transformon jetën, Zoti është i gjallë. Tek mua ishte një transformim i menjëhershëm, komplet, super natyral, më erdhi një shkëlqim, një forcë, një kurajo që mua nuk më interesonte më asnjë gjë.
Unë ajo e humbura, e braktisura, kur Zoti erdhi tek mua e kuptova që çdo gjë është e mundur për mua.
Vetëm një javë pas shpëtimit tim, Zoti më hapi një rrugë për të ikur në Vlorë. Një javë më vonë ika në Vlorë dhe aty mu hapën rrugë të tjera, në fillim kam filluar në fabrike këpucësh, më pas në televizion, më tej fillova mësuese dhe në vijim në bashki.
Zoti më çoi nga lavdia në lavdi. Unë nuk kam thënë kurrë që ndiqni Zotin, por vetëm iu them “shikoni jetën time”.
Unë erdha në Gjermani se Zoti donte që të vija këtu. E kam njohur bashkëshortin tim gjerman, ka qenë dashuri me shikim të parë, sot kemi 24 vite bashkë, kemi tre fëmijë.
Në fillim kam pasur shumë kundërshti me tim shoq për besimin fetar, se babai i tij ka qenë pastor.
Burri im thoshte se njerëzve nuk duhet t’iu flasësh për Zotin se ata duhet ta gjejnë vetë atë. Kush do e gjen. Këtu kemi pasur kontradikta të mëdha.
Qëllimi i jetës sime, unë i kam thënë unë dua Zotin dhe qëllimi i jetës sime është Zoti. Unë e di çdo të thotë të të duket vdekja më e ëmbël se jeta.
Zoti mua më dha një jetë të re dhe unë për asnjë çmim nuk e jap mbrapsht.
Kur im shoq e pa që kjo është jeta ime, ai është në çdo gjë në krahun tim, më mbështet në çdo gjë.
Kam punuar vetëm dy vitet e para në punë të ndryshme, më tej kam hapur biznesin tim, një dyqan me bizhuteri dhe një supermarket.
Unë jap vetëm përgjigjen që Bibla jep, njerëzit kanë harruar që Zoti është i gjallë.
Nëse do të vesh në Shqipëri, do të shohësh shumë magjistarë apo në varre të vdekurish.
Po si mundet i vdekuri të ndihmojë? Unë e di që errësira ekziston, por edhe Zoti ekziston.



