Kryeredaktori i MCN TV Leonard Mitro tha se vlerësimi i DASH për kreun e SPAK Altin Dumani është konfirmimi i SHBA-ve për të vazhduar në të njëjtën rrugë, ku Reforma në Drejtësi është një projekt i pangeociushëm i Uashingtonit.
Mitro u shpreh se reagimi i sotëm i Veliajt ngjahason me letrën e Mehmet Shehut para vetëvrasjes, megjithëse sot flasim për një “vetëvrasje politike”.
Ai shton se me reagimin e sotëm kryebashkiaku "ka definuar fundin e tij politik", ndonëse ende duhet pritur se si do të përfundojnë hetimet që do përcaktojnë të ardhmen e tij politike.
Lidhur me vlerësimin e Dumanit si “kampion në luftën kundër korrupsionit”, Mitro tha:
“Është një vlerësim që vjen në një fazë kritike për punën e SPAK, e cila është duke hetuar politikanë të lartë të vendit, nga të dyja krahët. Madje siç e kemi parë edhe ditët e fundit ka intensifikuar hetimet edhe për persona që deri më dje konsideroheshin me imunitet të veçantë politik para drejtësisë. Kam parasysh edhe kryebashkiakun Veliaj. Në këtë kuptim, besoj që çmimi apo vlerësimi që iu dha kreut të SPAK Altin Dumani është thjesht konfirmim për të vazhduar në të njëjtën rrugë. Me sa duket SHBA dhe DASH janë të vendosur të godasin të gjithë elitën e korruptuar të vendit, duke përfshirë si qeveritë e mëparshme, por dhe zyrtarët që kanë qenë së fundmi apo që vazhdojnë të ushtrojnë detyrën, dhe me sa duket Reforma në Drejtësi është një projekt i panegociueshëm i SHBA për t’i dhënë vendit një sistem drejtësie të pakompromentuar dhe të aftë për të goditur të gjitha lidhjet e krimit me politikën. Mbështetja dhe vlerësimi që iu dha z.Dumani si një nga ‘njerëzit kampion kundër korrupsionit’, mes dhjetë personaliteteve të vlerësuara me këtë çmim, është po ashtu mbështetje edhe për të personalisht, duke qenë se që në fillim, në krye të herës, kur z.Dumani ishte një nga kandidaturat për të drejtuar SPAK, ish-ambasadorja amerikane dha mbështetjen e hapur për z.Dumani. SHBA-të duket se tashmë janë të vendosura për të instaluar një sistem drejtësie që të paktën do të mund të çojë para drejtësisë personazhe që deri më sot cilësoheshin si të paprekshëm”.
Duke u ndalur te reagimi i sotëm i kryebashkiakut të Tiranës, ai u shpreh:
“E lexuam reagimin e z.Veliaj dhe ajo që mund të vësh re që në krye të herës, pa i hyrë në thelb apo në brendinë e reagimit të tij, ishte një lloj nervoziteti në të gjithë reagimin që pati. Duket sikur z.Veliaj e ka humbur qetësinë dhe në një replikë në distancë me kreun e PD, shkon deri në etiketime personale që ndoshta s’i vlejnë argumentit dhe diskutimit publik mbi akuzat që janë ngritur ndaj z.Veliaj, por edhe mbi pretendimet e këtij të fundit. Sigurisht z.Veliaj s’është komod në kushtet që oficerë të BKH kanë trokitur në derën e tij, pavarësisht shfaqjeve të tij më të hershme dhe gatishmërisë për të dhënë sqarimet apo shpjegimet e tij për shumë çështje që janë nën hetim nga SPAK. Duket nga reagimi i z.Veliaj që ai vet s’ka asnjë garanci se si do shkojë hetimi pasuror ndaj tij dhe bashkëshortes së tij dhe ka preferuar që gjithë diskursin ta ngrejë mbi një përplasje politike me kreun aktual të PD-së. E gjithë letra më ngjahasoi për analogji si ajo e Mehmet Shehut para vetëvrasjes, megjithatë këtu flasim për vetëvrasje politike apo megjithëse z.Veliaj pranoi që pavarësisht të gjithave që ka ndodhur ai vazhdon të ketë besimin e kryeministrit Rama dhe shokëve të partisë. Megjithatë të gjitha këto, edhe ky lloj reagimi i z.Veliaj definojnë fundin e tij politik, megjithatë mbetet të shohim se si do shkojnë hetimet ndaj tij dhe nëse këto hetime do përcaktojnë të ardhmen e tij politike, në kuptimin nëse do jetë në krye të bashkisë deri në fund të mandatit, apo mund të kemi ndryshime që lidhen edhe me përfshirjen e tij në grupin e ardhshëm parlamentar të PS-së”.
I pyetur mbi Opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me çështjen “Xhaçka”, Mitro tha:
“Mendoj që më shumë se sa një debat juridik mbi vlefshmërinë ose jo të vendimeve si të Gjykatës Kushtetuese apo të Parlamentit, çështja e znj.Xhaçka është çështje e vullnetit politik të mazhorancës, për të treguar se kushtetueshmërinë e mandatit e shqyrton Gjykata Kushtetuese. Kësisoj mazhoranca duhet të kishte pranuar pa hezitim që çështja të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese. Çdo zvarritje më tej e ngërçeve juridike apo interpretimeve nga palët me të drejtë të krijon perceptimin se znj. Xhaçka po i jepet mbrojtje politike. Arsyet pse po i jepet mbrojtje politike, mund të jenë të ndryshme, mund të jenë brenda Parlamentit, por mund t’i kërkojmë më tej te qeveria, kryeministri, apo të tjera pushtete. Sa kohë mazhoranca bën interpretime, jo vetëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të Opinionit të Komisionit të Venecias, duket qartazi që znj.Xhaçka do vijojë të jetë pjesë e debatit politik, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për pak muaj, në të cilat do të kuptojmë nëse mandati i saj do jetë i vlefshëm edhe për 4-vjecar tjetër, apo znj.Xhaçka në varësi edhe të hetimeve të SPAK, do të spostohet si politikisht, por edhe do të japë shpjegime para drejtësisë”.



