Koronavirusi është shqetësimi më i madh i globit ditët e fundit. Zyrtarisht OBSH-ja konfirmoi sot se, për shkak të këtij virusi, jemi në kushtet e një pandemie.
Në kushtet kur njerëzit kanë me mijëra pyetje dhe mundësia e konfuzionit që krijojnë termat rritet, informacioni i saktë është i domosdoshëm. Rebecca S.B.Fischer, asistent profesore e epidemiologjisë në Universitetin e Teksasit, sqaron termat shpërthim, epidemi dhe pandemi.
“Si një epidemiologe, më duket interesante të dëgjoj njerëz që përdorin terma teknikë - si karantinë, superpërhapës ose numër riprodhues - që kolegët e mi dhe unë i përdorim në punën tonë çdo ditë.
Por unë po dëgjoj gjithashtu gazetarët dhe fqinjët që ngatërrojnë tre fjalë të rëndësishme: shpërthim, epidemi dhe pandemi.
Për ta thënë sa më thjesht, ndryshimi midis këtyre tre skenarëve të përhapjes së sëmundjes është çështje shkalle.
Shpërthimi
I vogël në shifra, por i pazakontë.
Duke gjurmuar sëmundjet në kohë dhe hapësirë, epidemiologët mësojnë të parashikojnë se sa raste të një sëmundjeje duhet të ndodhin normalisht brenda një periudhe të caktuar kohe, vendi dhe popullsie. Konsiderohet shpërthim (outbreak) një rritje e dukshme, shpesh e vogël, e numrit të rasteve.
Imagjinoni një rritje të pazakontë të numrit të fëmijëve me diarre në një kopsht ditor. Një ose dy fëmijë të sëmurë mund të jenë situatë normale në një javë të zakonshme, por nëse 15 fëmijë në një çerdhe preken nga diarreja, atëherë ky konsiderohet shpërthim.
Kur shfaqet një sëmundje e re, shpërthimet janë më të dukshme pasi numri i parashikuar i sëmundjeve të shkaktuara nga ajo sëmundje ishte zero. Një shembull është grupi i rasteve të pneumonisë që u shfaqën papritur në tregun e Vuhanit, Kinë. Zyrtarët e shëndetit publik tani e dinë se rritja e shpejtë e rasteve të pneumonisë atje përbënte një shpërthim të një lloji të ri të koronavirusit, i cili më pas mori emrin Covid-19.
Sapo autoritetet lokale të shëndetit zbulojnë një shpërthim, ata fillojnë një hetim për të përcaktuar saktësisht se kush është prekur dhe sa mund ta kenë këtë sëmundje. Ata e përdorin informacionin e mbledhur për të kuptuar se si mund të frenohet shpërthimi dhe parandalimi i sëmundjeve të tjera.
Epidemia
Më e madhe dhe më e përhapur
Një epidemi është një shpërthim në një zonë më të madhe gjeografike. Kur njerëzit në vende jashtë Vuhanit rezultuan pozitivë në testimin për infeksionin me SARS-CoV-2 (që shkakton sëmundjen e njohur si COVID-19), epidemiologët e kuptuan se shpërthimi po përhapej, një shenjë e mundshme që përpjekjet për ta mbajtur nën kontroll ishin të pamjaftueshme ose u bënë shumë vonë. Kjo nuk ishte e papritur, duke pasur parasysh që asnjë trajtim apo vaksinë nuk është ende në dispozicion. Por rastet e përhapura të COVID-19 në të gjithë Kinën treguan se shpërthimi i Vuhanit tani ishte kthyer në një epidemi.
Pandemia
Ndërkombëtare dhe jashtë kontrollit
Në kuptimin më klasik, pasi një epidemi përhapet në shumë vende ose rajone të botës, ajo konsiderohet një pandemi. Sidoqoftë, disa epidemiologë e klasifikojnë një situatë si pandemi vetëm pasi sëmundja të mbahet në disa prej rajoneve të prekura përmes transmetimit lokal.
Për ta ilustruar, një udhëtar i sëmurë me COVID-19, i cili kthehet në ShBA nga Kina, nuk bën pandemi, por pasi të infektojë disa anëtarë të familjes ose miq, atëherë kjo është e diskutueshme. Nëse ndodhin shpërthime të reja lokale, epidemiologët do të pajtohen që përpjekjet për të kontrolluar përhapjen globale kanë dështuar dhe t'i referohen situatës në zhvillim si pandemi.
Kur OBSH deklaron se jemi në kushtet e një pandemie, siç ndodhi sot me Covid-19, atëherë qeverive, agjencive dhe organizatave humanitare në të gjithë botën u kërkohet që të kalojnë nga përpjekja për frenimin e sëmundjes në atë për zbutjen e saj. Kjo detyrimisht ka efekte ekonomike, politike dhe shoqërore në shkallë globale.
Shpallja zyrtare e pandemisë nuk duhet të merret me frikë, ose t'i nxisë njerëzit të grumbullojnë maska kirurgjikale. Kjo nuk do të thotë se virusi është bërë më infektiv ose më vdekjeprurës, as ju personalisht jeni më të rrezikuar se disa orë më parë. Megjithatë, mbetet një event historik.
/ Përgatiti: Gazmira Sokoli /



