Prishja e disa ndërtesave në Himarë dhe postimi i kryeministrit Rama për “Akropolin që mbijetoi falë shqiptarëve” janë bërë arsye për “fërkimin” e radhës me Greqinë. Mediat greke kanë nisur “sulmet” ndaj Ramës, të cilin e cilësojnë si kukull politike të Erdoganit.
“The pressroom” shkruan se “autoritetet shqiptare provokuan duke shkatërruar shtëpitë që u përkasin grekëve në Himarë, ndërsa kryeministri i Shqipërisë e përshkallëzoi provokimin me një postim në Facebook, si përgjigje e një deklarate të Ministrisë së Jashtme greke. Edi Rama, i cili është një kukull politike e Rexhep Erdoganit në Ballkan dhe në Shqipëri pohon se Himara është shqiptare dhe se Akropoli mbijetoi falë një shqiptari”.
Ndërsa “Ekathimerini” shkruan se Greqia pret përshkallëzim të tensionit me Shqipërinë, e cila do të mbajë zgjedhje në qershor të vitit tjetër dhe e sheh rritjen e retorikës nacionaliste si pjesë e një plani të llogaritur mirë për të risjellë në vëmendje çështjen çame.



