Dy shqiptarë kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor që ndodhi gjatë orëve të para të së enjtes në ishullin e Kretës, në Greqi, duke tronditur komunitetin shqiptar në zonë.
Viktimat janë Edison Xhaka, 27 vjeç, nga Elbasani, dhe Aleksandër Toçila, 34 vjeç, nga Gramshi. Sipas informacioneve të bëra publike nga Shoqata Shqiptare e Kissamosit “Kastel”, dy të rinjtë po udhëtonin me një motomjet në aksin rrugor Kissamos-Hania, pranë zonës së Kolimbarit, kur në rrethana të paqarta, humbën kontrollin e motorit dhe u përplasën me barrierat mbrojtëse anësore të rrugës.
Përplasja rezultoi fatale, ndërsa ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje konstatuan se të dy kishin ndërruar jetë. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes. Deri tani nuk është bërë e ditur nëse në aksident është përfshirë ndonjë automjet tjetër.
Edison Xhaka jetonte dhe punonte prej disa vitesh në Kissamos, ku ishte integruar në komunitetin lokal, ndërsa Aleksandër Toçila punonte në Kretë me kohë të pjesshme.
Në një reagim publik, Shoqata Shqiptare “Kastel” u shprehu ngushëllimet familjeve të dy viktimave, duke e cilësuar aksidentin si një ngjarje tepër të rëndë që ka tronditur të gjithë komunitetin shqiptar në rajonin e Kissamosit.



