Mediat shtetërore iraniane kanë konfirmuar se Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, është vrarë në zyrën e tij gjatë sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Autoritetet iraniane kanë shpallur një periudhë zie 40-ditore në nder të liderit afatgjatë të Republikës Islamike.
Konfirmimi erdhi pasi agjencitë iraniane të lajmeve Tasnim News Agency dhe Mehr News Agency kishin raportuar fillimisht se Khamenei mbetej “i palëkundur dhe i vendosur në drejtimin e fushës”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi më herët gjatë ditës në platformën e tij Truth Social se 86-vjeçari Khamenei ishte vrarë në sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael, të cilat nisën herët të shtunën.
“Ai nuk ishte në gjendje t’u shmangej sistemeve tona të inteligjencës dhe ndjekjes shumë të sofistikuar dhe duke punuar ngushtë me Izraelin, nuk kishte asgjë që ai apo liderët e tjerë të vrarë bashkë me të mund të bënin”, shkroi Trump.
“Kjo është mundësia më e madhe që populli iranian të rimarrë vendin e tij”, shtoi ai. “Shpresoj që IRGC-ja (Garda Revolucionare Islamike) dhe policia të bashkohen paqësisht me patriotët iranianë.”
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte deklaruar më herët se kishte “shenja” që Khamenei ishte vrarë.
Ali Khamenei kishte shërbyer si Udhëheqës Suprem i Iranit që nga viti 1989, pasardhës i themeluesit të Republikës Islamike pas rrëzimit të shahut, Ruhollah Khomeini, i cili udhëhoqi revolucionin iranian të vitit 1979.
Udhëheqësi Suprem ka autoritetin përfundimtar mbi të gjitha degët e qeverisë, ushtrinë dhe sistemin gjyqësor, si dhe shërben si lider shpirtëror i vendit.



