Drejtuesit e rinj të universiteteve publike në vend janë zgjedhur nga stafet akademike dhe studentët, të cilët kanë votuar gjatë së enjtes.
Në Universitetin e Tiranës, fitues u shpall Artan Hoxha, me 54 për qind të votave. Ai garonte përballë Mimoza Hafizit dhe Kozeta Sevranit.
Në Universitetin e Mjekësisë, u rizgjodh rektor Arben Gjata.
Andrea Maliqari u zgjodh rektor në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Ndërsa, Fatbardh Sallaku u zgjodh rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Në Universitetin e Arteve rektor u zgjodh Kastriot Çaushi ndësa në atë të Sporteve, Agron Kasa.
Kseanela Sotirofski është zgjedhur rektore e universitetit ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës.
Skënder Topi është rizgjedhur rektor në Universitetin e Elbasanit. Ai kandidonte i vetëm në këtë garë.
Ndërsa në Korçë, rektor i universitetit do të jetë Dhimitër Bello. Ai fitoi kundër Lenci Ekonomit.
Në Universitetin e Shkodrës ka fituar garën për rektore Suzana Golemi. Ajo fitoi kundër rektorit në detyrë, Adem Bekteshi, me vetëm 2 vota diferencë.
Bektash Mema u zgjodh rektor i universitetit ‘Eqerem Çabej’ në Gjirokastër.
Ndërsa në Vlorë, në universitetin ‘Ismail Qemali’ fitoi garën mes tre kandidatëve Roland Zisi.
Zgjedhjet u mbajtën në kushte të vështira për shkak të pandemisë por dhe të një konflikti mes Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Komisionit Institucional Zgjedhor, që merr shkas nga pandemia. Nën masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit, votuesve përpos mjetit të identifikimit, në shumë prej universiteteve i’u mat temperatura para hyrjes në dhomën e votimit, si dhe u pajisën me maska dhe doreza. Procesi i votimit mëngjesin e djeshëm nisi në orën 08:00 dhe përfundoi në orën 16:00 për te vijuar më tej me numërimin e votave.
Një grup studentësh kanë kundërshtuar ditën e djeshme zgjedhjet në universitete.
Këto zgjedhje janë konsideruar nga studentët e Lëvizjes për Universitetin (LPU) si jo legjitime pasi përkojnë me një periudhë kur shumica e studentëve janë larguar nga universiteti për shkak të mbarimit të vitit akademik.
Ata shpalosën një banderolë përpara Politeknikut, në të cilën shkruhej “Kandidatë pa lidhje, zgjedhje pa zgjidhje”. Sipas tyre zgjedhjet në universitet janë të turpshme dhe diskriminuese, kjo pasi pesha e votës studentore mbetet 10%, ndërkohë që mungesa e studentëve në auditorë e bën praktikisht zero pjesëmarrjen e tyre.



