Për ish-ministrin e Jashtëm, Paskal Milo shqiptarët e Kosovës nuk kanë fuqi të kundërshtojnë asociacionin e komunave serbe.
Një qëndrim të tillë Milo e dha në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, ku tha se shqiptarët e Kosovës, janë produkt i asaj diplomacie që filloi pas vitit 1999, për të krijuar dhe ndërtuar shtetin e Kosovës.
Ai kujtoi se rezoluta 12-44 njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, madje shkon më tej duke thënë se në fillim askush nuk mendonte seriozisht që Kosova mund të shpallej shtet i pavarur.
Milo kujton se deri në vitin 2001, SHBA e kundërshtonin pavarësinë e Kosovës, apo në mos e kundërshtonin, nuk e mbështesnin, se shikonin konjukturën dhe si do zhvilloheshin ngjarjet.
Vetëm në vitin 2006, filloi të ndryshojë situata, se deri atëherë ishte ajo formula ambigue se çdo të bëhej me Kosovën, jo pavarësi e kushtëzuar, jo e pakushtëzuar, deri sa erdhi momenti që në substancë, mbeti pavarësi e kushtëzuar.
Kurti nuk ka qenë pjesë e negociatave, që në atë kohë ai e kundërshtoi asociacionin, edhe paketën Ahtisari, por e kundërshtoi nga pozita e të qenit në opozitë.
Nuk mund të bëhej më shumë atëherë. Ka qenë një vendosmëri e SHBA dhe e Presidentit Bush që e mori përdore dhe e çoi deri në fund. Nëse do ishin lëkundur SHBA, do ishte bërë një formulë që do ishte më keq se ç’është.
Kurti moralisht është në të drejtën e vetë, por nuk mund të sillet me mendësinë e një opozitari që ka të drejtë, pasi nuk është momenti që t’i ngrejë këto çështje, duet të tregohet më diplomat, më shtetar.
Ka frikë se sulmohet nga partitë që janë në opozitë sot. Po shtetari këtu dallon, që mund të marrë përsipër gjëra të mëdha dhe mund t’i përballojë ato, qoftë dhe me një kosto.
Edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, ne jemi vende të vogla, kemi fatkeqësinë që jemi vende të vogla dhe është absurde të mendosh që mund të ketë fuqinë e të madhit.
Në realitet i vogli gjithmonë do të mbetet i vogël dhe gjithmonë do i drejtojë sytë nga i madhi.
Kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet, të paktën në shoqërinë njerëzore ku jetojmë ne sot.



