Një operacion i policisë së Tropojës i koduar “Valbona” ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një banesë në të cilën kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në fshatin Valbonë, një person kishte përshtatur banesën, për kultivimin e bimëve narkotike kanabis, në kushte laboratorike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Valbona”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi dhe ndërhyrja në banesën e shtetasit Shpëtim Selimaj, ku u evidentua se njëra prej dhomave ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave, që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 34 llamba dhe pajisje të ndryshme elektrike, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente te mbyllura.
Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e policisë nuk kanë gjetur njeri në banesë. Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e pronarit të banesës, Shpëtim Selimaj, 43 vjeç, banues në Valbonë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Q. B., 59 vjeç, banues në Shoshan, me detyrë elektriçist.
Lidhur me këtë rast, materialet iu referuan Prokurorisë së Tropojës, për veprime të mëtejshme.



