Altin Hazizaj, drejtues i CRCA/ECPAT, thotë se drafti i Kodit të Ri Penal nuk garanton mbrojtjen e fëmijëve nga ligji. Në një intervistë me MCN, Hazizaj tha se grupi i punës që ka përgatitur Kodin e Ri nuk ka reflektuar rekomandimet e organizatave për të drejtat e fëmijës.
Ne gjejmë mangësi serioze në kodin e ri penal sa i përket mbrojtjes së fëmijëve. Për më tepër nuk është në përputhje me direktivat europiane për këtë çështje.
BE ka dy direktiva, njëra merret me trafikimin, tjetra me krimet seksuale online. Po të shikojmë të gjitha nenet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën kibernetike, rekomandimet tona nuk janë marrë parasysh.
Ne jemi marrë me një vështrim krahasues me kodin penal francez.
Sa i përket trafikimit, rregullohet trafikimi i jashtëm, por jo ai i brendshëm. P.sh. nga Tirana në Durrës. Trafikimi i brendshëm është po aq kriminal sa i jashtmi.
Kodi vazhdon të mbajë reminishenca të kodit të vjetër që vjen nga koha e komunizmit. Në Shqipëri, termi i mitur nuk përkufizohet asgjëkundi. Kodi Penal nuk merret me këtë përkufizim, por vijon me konceptet e vjetra. Kjo është në shkelje të hapur të Konventës për të Drejtat e Fëmijës.
Hazizaj tha se Kodi i Ri, i cili sipas tij nuk përputhet me ligjet europiane, nuk sjell një qasje të re në raport me të drejtën penale.
Komunizmi ka ndikim ende në psikikën e shqiptarëve. Qasja e Kodit është ende qasje ndëshkuese. Unë shpresoj që me faktin që kemi nevojë që ky kod të jetë në përputhje me ligjet europiane do të sillte një qasje tërësisht të re të të drejtës penale, gjë që nuk e ka bërë. Nuk janë zgjidhur ende problemet kryesore sa u përket fëmijëve dhe mbrojtjes së tyre. Po marr p.sh. bullizmin.



