Një mënyrë e shëndetshmë e të ushqyerit ndihmon në një sistem imunitar më rezistent. Në një periudhë ku virozat janë më të përhapura është i rëndësishëm një regjim ushqimor i rregullt, me bazë kryesore frutat dhe perimet. Disa nga këto ushqime janë:
Fruta dhe perime
Nuk është surprizë për askënd, nëse themi që frutat dhe perimet janë të pasura me vitamina që e ndihmojnë sistemin imunitar. Kryesisht, vitaminat A, C dhe E ndihmojnë sistemin imunitar, dhe frutat janë burimi primar nga i cili mund t'i marrim. Vitamina C gjendet në qitro, portokalle apo domate. Perimet me gjethe të gjelbra dhe avokado janë burimi kryesor i vitaminës E.
Lëngjet
Pavarësisht ushqimeve që konsumojmë, një gjë shumë e rëndësishme është edhe të qenit gjithmonë të hidratuar. Çaji i ngrohtë është mënyra më e mirë për të qëndruar të hidratuar.
Supa e pulës
Supa e pulës ndihmon organizmin nga sëmundjet inflamatore duke e ulur ndjeshmërinë ndaj simptomave të stinës. Supa e kockave të pulës përmban kolagjen dhe ndihmon gjithashtu edhe me lëndë ushqyese dhe me aminoacide të cilat janë faktor në shmangien e sëmundjeve inflamatore. Supa e lëngshme, nëse serviret e ngrohtë, ju ndihmon edhe në hidratimin e trupit.
Kosi
Kosi është një produkt natyral i cili ndihmon në një shëndet më të mirë, gjumë më të qetë si dhe tretje më të shpejtë. Gjithashtu, është vënë re që kosi ka një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e zorrëve nga bakteret. Nëse nuk e pëlqeni kosin, provoni një produkt tjetër natyral që ka këto veçori, lakrën turshi.
Peshku i madh
Zemra nuk është e vetmja që “përfiton” nga doza omega3 që përmban peshku. Peshku i madh, siç është toni apo salmoni, përmbajnë shumë acide omega3 dhe japin një kontribut shumë të madh në sistemin tuaj imunitar.
Hudhra
Lajme të mira për ju që pëlqeni bukën me brumë të përbërë nga hudhrat ose perimet e pjekura në vaj hudhrash. Studimet kanë treguar se njerëzit që konsumojnë hudhra çdo ditë, e kanë më të thjeshtë t’i përballojnë ndryhsimet e stinëve dhe të ftohtin. Nëse doni të përfitoni të mirat e saj, mund ta përdorni atë edhe në supë apo në ushqimet e tjera likuide.
Ushqimet e pasura me zink
Zinku është një mineral pa të cilin trupi juaj nuk mund të funksionojë normalisht ne sezonin e dimrit. Ushqimet e pasura me zink janë: guaskat e detit, vezët, mishi i kuq, fasulet dhe kungujt.



